
Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur detaje rreth takimit që zhvilloi sot me ambasadorin amerikan, Philip S. Kosnett.
Diplomati nga SHBA-ja ishte i shoqëruar nga këshilltarja e tij për çështje politike Amy Carnie.
Në takim i priti kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherazi kandidati për kryeministër, Albin Kurti, bashkë me anëtaren e kryesisë së Lëvizjes, Arbërie Nagavci, dhe asistenten ekzekutive, Valë Gjonbalaj.
“Ambasadori, z. Kosnett uroi kryetarin Kurti për fitoren në këto zgjedhje duke i dëshiruar sukses të mëtejmë. Ai uroi që nga ky proces sa më parë të kemi një qeveri e parlament funksional. Kryetari Kurti e falënderoi për urimin dhe vizitën, dhe ndau bindjen që shumë shpejt do ta kemi qeverinë e re, dhe mundësinë për të bashkëpunuar për projekte konkrete që ndihmojnë shtetndërtimin demokratik, zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy shteteve tona”, thuhet në njoftim.
