VV reagon pas vendimit të PZAP, për të mos i numëruar votat e mërgatës

20:23 | 03 November 2019

“Refuzimi i aktgjykimit të Supremes është i motivuar politikisht”.

Anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi ka reaguar pas vendimit të PZAP-së.

Refuzimi për ta zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme si nga SKQZ edhe nga PZAP, është qartazi përpjekje e kundërligjshme e motivuar politikisht dhe e koordinuar në mes tyre.

Kështu ka deklaruar anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Adnan Rrustemi duke komentuar vendimin e PZAP-it, i cili ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërim të 1806 pakove të fletëvotimeve të mërgatës.

“Duke iu shërbyer interesave politike të palëve të ndryshme e kalkulimeve në prapavijë, po vonojnë qëllimshëm certifikimin e rezultateve përfundimtare. Rezultatet do të shpallen e do të certifikohen, por edhe përgjegjësisë së tyre do t’i vijë radha”, shkruan Rrustemi në llogarinë e tij në Facebook.

Ndryshe, me refuzimin e ankesës së Lëvizjes vetëvendosje, PZAP ka rikthyer në zbatim nenin 96.2 të LZP-së, edhe pse Gjykata Supreme ka vendosur me Aktgjykimin A-A.U.ZH.nr.20/2019, se neni 96 par.2 nuk duhet të zbatohet për fletëvotimet e dorëzuara me poste nga qytetaret e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se nuk do të ndalet derisa të numërohet edhe fletëvotimi i fundit dhe se do të vazhdojnë me ankesë në Gjykatën Supreme.

Komento: