Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga post i kryeministrit, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës nënshkrimet e mbledhura nga deputetët e vet për seancë ku do të shpërndahej Kuvendi.
“Konform dakordimit në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së Kuvendit, Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes ka deponuar në Kuvend nënshkrimet e 19 deputetëve, për thirrjen e seancës për shpërndarjen e Legjislaturës VI të Kuvendit”, thuhet në një njoftim të Kuvendit të Kosovës.
Kujtojmë se dje, Kryesia e Kuvendit u mblodh për të caktuar seancën rreth shpërndarjes së Kuvendit pas zhvillimeve të fundit politike në vend, të iniciuara nga dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.
Në këtë mbledhje u vendos që më 22 gusht të mbahet seanca për shpërndarjen e kësaj legjislature.
Këtë e kundërshtoi vetëm VV-ja, e cila tha se kjo hapësirë kohore, krijon mundësi që subjektet politike, përfshirë edhe LDK-në dhe PSD-në, të bëjnë pazare për qeveri teknike ose caktimin e një mandatarit të ri.
Koalicioni fitues i zgjedhjeve të fundit, PAN, refuzoi të mandatonte një kandidat të ri për kryeministër, duke refuzuar kështu kërkesën e presidentit Hashim Thaçi, dhe si rrjedhojë u caktua data e shpërndarjes së Kuvendit.