VV tregon se kur do t’i përgjigjet Kurti kërkesës së Thaçit për mandatarin

23:17 | 06 Prill 2020

VV ka treguar se kur do t’i përgjigjet Kurti kërkesës së Thaçit për mandatarin.

Kreu Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, do t’i përgjigjet në një kohë të përshtatshme presidentit, Hashim Thaçi në lidhje me kërkesën e tij për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re.

Kështu ka thënë zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.

“Ashtu siç kemi deklaruar edhe më parë ne do të përgjigjemi në një kohë të përshtatshme”, ka thënë shkurt Manxhuka.

Kërkesa e Thaçit, për caktimin e mandatarit për qeverinë e re vije pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë “Kurti”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, javë më parë i kishte kërkuar Thaçit që të marrë parasysh vetëm një opsion, atë të shpërndarjes së kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve, pasi që të ketë përfunduar e gjithë situata e krijuar me koronavirusin e ri.

“Përfundimisht, para se të kërkojë emrin e kandidatit nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Presidenti duhet të mendojë për datë të zgjedhjeve për të gjithë. Sepse ai duhet ta zbatojë Kushtetutën e jo ta interpretojë atë”, pati shkruar Kurti.

Javën e kaluar, presidenti i vendit, Hashim Thaçi zhvilloi takime me liderët e të gjitha partive politike, por duke u bazuar në Kushtetutë dhe rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, 2019, mundësinë e caktimit të mandatarit për kryeministër ia ofroi Lëvizjes Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve.

Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ishte pjesë e koalicionit qeverisës dërgoi në Kuvend një mocion mos besimi ndaj Qeverisë “Kurti”, mocion ky që mori 82 vota për, ku edhe u shkarkuar Qeveria.

Komento: