
LVV zyrtarizon Arben Vitinë në garën për kryetar të Prishtinës.
Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje është duke mbajtur takim, në të cilin do të zyrtarizohen emrat e kandidatëve të këtij subjekti politik për kryetarë të komunave në zgjedhjet e 17 tetorit.
Ashtu siç kishte shkruar Telegrafi, dy ditë më parë, burime brenda këtij takimi bëjnë të ditur se ky organ partiak i LVV, tashmë ka zyrtarizuar kandidaturën e Arben Vitisë për kryetar të Prishtinës.
Gjithashtu pritet të zyrtarizohen kandidaturat edhe të kryetarëve aktualë të Prizrenit dhe Podujevës, Mytaher Haskuka dhe Shpejtim Bulliqi, transmeton Telegrafi.
Kreu i LVV-së, një ditë më parë ka konfirmuar kandidaturën e deputetes Mimoza Kusari Lila për kryetare të Gjakovës.
Deri tani në garë për kryetar të Prishtinës, subjektet politike kanë konfirmuar kandidaturat e Përparim Ramës (LDK), Uran Ismailit (PDK), Daut Haradinajt (AAK) dhe Selim Pacollit (AKR).