Werderi cakton çmimin përfundimtar të Rashicës

14:04 | 03 August 2020

Werderi cakton çmimin përfundimtar të Rashicës, këto janë katër skuadrat e vetme në garë për yllin e Kosovës.

E ardhmja e Milot Rashicës ende mbetet e paqartë se ku do të luaj sezonin e ardhshëm.

Ajo që është e sigurt është vetëm largimi i tij nga Werder Bremen, pasi kështu kanë deklaruar drejtuesit e klubit gjerman që do ta shesin Rashicën, por edhe vet kosovari është i gatshëm të largohet për një skuadër më të madhe.

Oferta e parë zyrtare te Werderi ka ardhur nga RB Leipzig javë më parë, që kishin ofruar 15 milionë euro plus bonuse.

Megjithatë këtë ofertë Werder e ka refuzuar, pasi pretendon të fitojë më shumë nga shitja e Rashicës.

24-vjeçari ka një klauzolë dalëse nga Werder prej 38 milionë euro për skuadrat jashtë kufijve të Gjermanisë, por duket e vështirë që një ekip të paguajë atë shumë.

Shumë skuadra ishin në garë për Rashicën, përfshirë Milanin, Liverpoolin e Borussia Dortmund, por tani janë vetëm katër ekipe që po duelojnë për reprezentuesin kosovar.

Mediat gjermane kanë raportuar se Werder i ka caktuar çmimin përfundimtar të largimit Rashicës dhe klubi gjerman duan 25 milionë euro nga shitja e tij.

RB Leipzig, Hertha Berlin, Wolverhampton Wanderers dhe Aston Villa janë katër skuadrat e vetme që janë në garë për Rashicën.

Sa i përket Milotit ai preferon kalimin te Leipzig ku do të mund të luante në Ligën e Kampionëve, por klubi gjerman duhet të plotësojë kërkesat e Werder para se ta transferojë Rashicën.

Gjithsesi e ardhmja e kosovarit duket më afër kampionatit anglez, pasi dy ekipet Aston Villa e Wolverhampton janë gati të paguajnë çmimin e kërkuar nga Werder për Rashicën.

Vushtrriasi këtë edicion ka zhvilluar 34 ndeshje me Werderin ku ka shënuar 11 gola e ka bërë tetë asistime.

Komento: