Wesley Clark pret që Kosova të ftohet së shpejti në NATO

13:30 | 30 Mars 2022

Clark: Shpresoj që Kosova të ftohet së shpejti në NATO, Moska do destabilizimin e Ballkanit.

Vendimi për nisjen e fushatës së bombardimeve kundër Serbisë me qëllim të ndaljes së gjenocidit së shtetit serb ndaj popullatës civile në Kosovë ishte një prej momenteve vendimtare për çlirimin e Kosovës. Hartuesi i planit se ku do të binin bombat e lirisë, gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, në një intervistë për Gazetën Express, ka shpjeguar se sa e vështirë ka qenë të merrej vendimi për bombardim në vitin 1999 – vendim të cilin tashmë po e kërkojnë edhe ukrainasit kundër Rusisë.

Për tensionimin e situatës në Europë pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, Clark ka thënë se është e qartë që Moska është e interesuar që të destabilizojë edhe Ballkanin, por thotë se shpreson që Kosova të marrë ftesën shpejt për anëtarësim në NATO. Po ashtu, Clark, si një ndër nismëtarët e shtetndërtimit të Kosovës, lavdëron të arriturat e saj, derisa e sheh si një shtet model në rajonin e trazuar ballkanik.

Për Serbinë thotë se mbetet me shpresë që të arrijë të shkëputet nga idetë e vjetra pansllaviste dhe t’i bashkohet modernizmit – larg ideologjisë së shëmtuar të Sllobodan Millosheviqit.

Ushtaraku amerikan thotë se Aleanca Veri-Atlantike duhet të rrisë sigurinë në Europë, pasi një pushtim i mundshëm i Ukrainës nga Rusia do të rrezikonte stabilitetin. Clark thotë se duhet mbështetur Ukraina në çfarëdo forme, derisa potencon se një fushatë e bombardimeve sikur në rastin e Kosovës për momentin nuk është përgjigjja e duhur. Megjithatë, thekson se veprime më të drejtpërdrejta të NATO-s në të ardhmen mund të jenë të nevojshme.

Komento: