Xavi pas fitores ndaj Plzen: Barça është favorit për të fituar Ligën e Evropës

09:33 | 02 Nëntor 2022

Trajneri i Barcelonës, Xavi pati emocione të përziera pas fitores 4-2 në Ligën e Kampionëve ndaj Viktoria Plzen, pasi ekipi i tij veçse ishte eliminuar nga gara elitare evropiane.

Xavi ka folur për fitoren ndaj ekipit çek, ku ka mbetur pjesërisht i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij.

“Jam i kënaqur me disa gjëra, jo aq shumë me gjëra të tjera. Dolëm mirë në pjesën e parë, por vuajtëm shumë më pas. Kemi dhënë shumë faulle të panevojshme. Viktoria ishte shumë intensive dhe ne dhamë më shumë”, ka thënë fillimisht Xavi.

“Vuajtëm nga këndoret. E dinim se do të ishte e vështirë. Më pëlqeu mënyra se si sulmonte skuadra, por ne u dorëzuam shumë në mbrojtje”.

“Vlerësimi është negativ në fund të sezonit të Ligës së Kampionëve. Ne kishim kualifikimin në duart tona. Duhet të shfrytëzoni shanset tuaja në këtë garë. Bayerni dhe Interi morën shanset e tyre. Ne nuk ishim në gjendje të fitonim në Mynih apo Milano”.

Xavi foli edhe për Ligën e Evropës, pasi Barcelona do t’i vazhdoj garat aty pas mbylljes së grupit në vendin e tretë.

“Barça është ndër favoritët për të fituar Ligën e Evropës. Është duke u formuar të jetë një garë vërtet i bukur dhe objektivi është të shkojmë deri në fund dhe ta fitojmë atë. Kjo është sfida për klubin dhe ekipin”, përfundoi trajneri i Barçës.

Komento: