Xavi: Për Messin, dyert në Barcelonë janë gjithmonë të hapura
Lionel Messi mund të rikthehet në Barcelonë për ta mbyllur rrugëtimin e ndërprerë dy vjet më parë.
Ylli argjentinas nuk e ka vazhduar ende kontratën me Paris Saint-Germainin dhe babai i tij, Jorge, njëherësh edhe menaxher, është duke e kërkuar një klub të ri për shtatë herë fituesin e Topit të artë.
Kohëve të fundit po spekulohet për një rikthim të mundshëm të kampionit të freskët botëror në “Camp Nou” dhe duket se në këtë drejtim po punon edhe presidenti, Joan Laporta.
“E vërteta është se nuk kemi se çka të shtojmë. E kam thënë shpesh herë se kjo është shtëpia e tij dhe se dyert i ka të hapura. Nuk mund të them diçka tjetër: është një mik imi, jemi gjithmonë në kontakt dhe flasim për shumë gjëra, asgjë më shumë. Do të varet shumë nga ai, nga ajo se çka dëshiron të bëjë ai në të ardhme. Por, është evidente që Barcelona është shtëpia e tij, pa dyshim”, deklaroi Xavi.