Xhabir Zharku del kundër vendimit të Kadri Veselit

18:18 | 27 June 2019

Vendimi i Kadri Veselit për lirimin e pozitave në parti dhe institucione të zyrtarëve të PDK-së që kanë aktakuza ka nxitur reagim në këtë parti.

Ish-kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku, i cili i kishte ikur drejtësisë në Kosovë, ka folur për vendimin e kryetarit të PDK-së Kadri Veselit.

Zharku që ka qenë edhe kryetar i degës së PDK-së në Kaçanik ka thënë se edhe pse ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të degës, nuk jep dorëheqje nga partia, pasi që këtë e vendos elektorati.

“Nuk jam pjesë e strukturës, por pjesë e Partisë Demokratike, unë e konsideroj vetën pjesë të partisë, edhe atëherë kur kam dhënë dorëheqje, dhashë dorëheqje vetëm nga pozita në Kaçanik, por jo nga të qenurit anëtar. Jam anëtar pa ndonjë funksion, sepse edhe nuk kam marrë pjesë në garat që janë bërë kohët e fundit. Sikur të isha pjesë e garës do të vendoste elektorati nëse do të largohesha, jo një njeri apo një kryesi”, tha Zharku në T7.

Sipas ish ‘komandantit të UÇK ‘së, nëse do të duhej të merrej një vendim i tillë njëjtë do të duhej të vepronin të gjitha partitë, e jo vetëm PDK-ja.

Zharku tha se ky vendimi në parim është i drejtë por e dëmton partinë

“Partia Demokratike konsideroj unë që po dëmtohet sepse është ligji që vendos për këtë, me një anë po thirremi në ligje. Unë mendoj se është një vendim të ngutshëm, parimisht mund të ketë të drejtë, por, e dëmton partinë, pse u bë bash në këtë kohë, pse su vendosen rregullat para se të shkojmë në zgjedhje partiake. Mendoj se kjo nuk është e hijshme”, shtoi tutje.

Komento: