Xhaka dhe Shaqiri në javën e ardhshme pritet të udhëtojnë në Serbi – do të qëndrojnë rreth dy ditë në Beograd dhe Novi Sad, por askush nuk do të mund t’i shohë
Dyshja shqiptare e Zvicrës, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, në javën e ardhshme do të udhëtojnë drejt Serbisë për ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Evropian, të cilën do ta zhvillojnë kundër Bjellorusisë.
Për shkak të sanksioneve të UEFA-s, bjellorusët kanë zgjedhur që ndeshjet si vendas t’i zhvillojnë në Novi Sad, ku duhet të luajnë pa praninë e tifozëve.
Me vendimin e shtëpisë evropiane të futbollit, ndeshja është e mbyllur për gjithë publikun, ndërsa policia do të qëndrojë përreth stadiumit ‘Karadorde’ për të penguar çfarëdo grumbullimi në afërsi të objektit.
Lojtarët e Zvicrës do të grumbullohen të hënën në qendrën stërvitore të klubit të Baselit. Ndeshja kundër Bjellorusisë është në program më 25 mars, ndërsa arritja në Serbi është planifikuar një ose dy ditë më herët.
Në përzgjedhjet e trajnerit Murat Yakin nuk mund të mungojnë dy futbollistët më të mirë në Helvetikëve, ndërsa lajmi për shkuarjen e tyre në Serbi është raportuar në mediat e atjeshme.
Për dallim nga Rusia, Bjellorusia mund t’i zhvillojë ndeshjet në turnetë e UEFA-s, por jashtë vendit dhe pa praninë e tifozëve. Në kualifikimet për ‘Euro 2024’, kjo përfaqësuese ndodhet në Grupin I së bashku me Kosovën, Zvicrën, Izraelin, Rumaninë dhe Andorrën. /Telegrafi/