Xhavit Jashari: Pensionet duhet të rriten 50%, kjo rritje është thjeshtë një lojë politike dhe fushatë

09:08 | 20 November 2024
xhavit-jashari:-pensionet-duhet-te-rriten-50%,-kjo-rritje-eshte-thjeshte-nje-loje-politike-dhe-fushate


Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Jashari, ka reaguar ndaj rritjes së pensioneve për kategoritë e luftës, duke e cilësuar këtë masë si një veprim politik dhe jo si një përpjekje për përmirësimin e kushteve të jetesës për këto kategori.

‘’Rritja e pensioneve  është veprim politik, nuk është veprim për t’ia rregulluar standardin dhe jetën e kategorive  të dala nga lufta’’, tha Jashari për FrontOnline.

Sipas Jasharit, rritja prej 20% është e pamjaftueshme dhe nuk mund të quhet një ngritje reale, pasi inflacioni aktual është më i lartë se kjo rritje.

‘’ Kjo nuk është ngritje e pensioneve, sepse inflacioni është më i lartë sesa ngritja që e kanë bërë dhe në këtë kohë ky vendim për neve është më shumë politik. Nuk është ngritje e merituar dhe që ua rregullon jetën këtyre kategorive ‘’, tha Jashari.

Ai gjithashtu kritikoi vendimin për heqjen e përfitimeve të veteranëve nga paga minimale, duke e konsideruar këtë si një goditje për këto grupe .

‘’ Veteranët i kanë hequr nga paga minimale sepse ka qenë i përcaktuar benefiti i veteranit për pagën minimale dhe me ligj thuhet tekstualisht që edhe nëse ka komplikime buxhetore qeveria e republikës së Kosovës , benefiti I veteranit të Kosovës nuk duhet të jetë nën pagën minimale diçka që kjo qeveri I ka goditur veteranët duke I hequr nga kjo e drejtë ligjërisht e tyre’’, theksoi Jashari.

 

Jashari kërkoi që rritja e pensioneve të jetë të paktën 50%, duke theksuar se ato nuk janë pensione të zakonshme, por benefite për ata që dhanë shumë për vendin. Ai e vlerësoi këtë rritje si një lëvizje më shumë për fushatë politike sesa një masë për përmirësimin e jetës së këtyre kategorive

‘’ Kërkesa jonë ka qenë që ngritja të bëhet prej 50% të beneficoneve, sepse ata po kalkulojnë gabimisht. Këto nuk janë pensione por janë beneficione ,benefite për kategoritë të cilat kanë dhënë shumë për vendin. Kjo është thjeshtë një lojë politike dhe fushatë politike sesa për të ngritur benefitet mjatueshëm dhe krijimin e një jete më të mirë’’, përfundoi Jashari.

Komento: