Xhelal Sveçla: Pensionimi i parakohshëm në Policinë e Kosovës pritet të zbresë nga 65 në 55 vjeç

14:20 | 20 Maj 2026
xhelal-svecla:-pensionimi-i-parakohshem-ne-policine-e-kosoves-pritet-te-zbrese-nga-65-ne-55-vjec

Ministri në detyrë Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se është themeluar grupi punues që do të hartojë modalitetet për programin e pensionimit të parakohshëm në Policinë e Kosovës.

Sipas Sveçlës, grupi punues do të analizojë të gjitha aspektet ligjore, financiare dhe organizative, ndërsa deri në fund të muajit korrik pritet të paraqesë propozimet konkrete për zbatimin e këtij programi.

Ai bëri të ditur se grupi tashmë ka mbajtur takimin e parë dhe gjatë javëve në vijim do të zhvillojë konsultime, takime pune dhe sesione dëgjimore me strukturat e Policisë së Kosovës në nivel qendror dhe lokal, me qëllim të identifikimit të sfidave operative dhe nevojave reale që lidhen me pensionimin e parakohshëm.

Sipas planit fillestar, do të shqyrtohet mundësia e zbatimit gradual të programit, duke nisur nga mosha 63-vjeçare dhe duke u ulur progresivisht deri në moshën 55 vjeç, në varësi të kapaciteteve financiare dhe nevojave institucionale.

Sveçla theksoi se ky proces synon përmirësimin e menaxhimit të burimeve njerëzore, rritjen e efikasitetit operacional dhe forcimin e sigurisë publike në Kosovë.

“Përmes këtij programi do të ndërtojmë një polici më funksionale, më të balancuar në strukturë dhe më të gatshme për t’iu përgjigjur sfidave bashkëkohore të sigurisë”, deklaroi ai./Gazeta10

Komento: