Xhudistja Nora Gjakova fiton medaljen e argjendtë në Grand Slamin

17:38 | 21 October 2022

Nora Gjakova fiton medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Abu Dhabit.

Nora Gjakova ka fituar medaljen e argjendtë në Grand Slamin që po zhvillohet në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Xhudistja jonë ka humbur ndeshjen e fundit apo finalen e ditës së sotme, pas katër fitoreve radhazi gjatë ditës së sotme.

Kësaj radhe, në finale, Nora ka humbur ndaj kundërshtares nga Koreja e Jugut, Mimi Huh.

Xhudistja jonë arrin ta fitojë medaljen e argjend në kategorinë deri në 57 kilogramë.

Kjo ishte medalje e parë dhe gara e parë për Norën që nga Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, pasi xhudistja jonë ishte jashtë garave për plot 15 muaj shkaku i lëndimit.

Ndryshe, Nora në raundin e parë fitoi me ‘pikë të artë’ ndaj xhudistes nga Koreja e Jugut, Yuna Shin, ndërsa në luftën e dytë mposhti me ‘ippon’ dhe brenda më pak se 1 minute holandezen, Pleuni Cornelisse.

Në çerekfinale, kampionia olimpike arriti ta mposht kundërshtaren serbe, Marica Perisic, e cila mori tri penalizime, teksa në gjysmëfinale arriti të fitojë ndaj kundërshtares Eteri Liparteliani nga Gjeorgjia.

Komento: