
Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Beograd (YIHR) ka njoftuar se gjatë vitit 2025 ka identifikuar të paktën 110 raste, në të cilat autoritetet dhe institucionet në Serbi kanë mohuar krimet e luftës të kryera gjatë luftërave të viteve ’90.
Sipas raportit të ri të titulluar“Gjendja e mohimit”, janë regjistruar të paktën 60 raste të lavdërimit të 10 personave të dënuar për krime lufte, si dhe të paktën 50 raste të formave të ndryshme të mohimit të krimeve.
Raporti përfshin mohimin e krimeve në Reçak të Kosovës, mohimin e rrethimit të Sarajevës, ekzistencës së kampeve në Prijedor, por edhe të varrezave masive në Batajnicë pranë Beogradit, ku ishin varrosur trupat e viktimave nga Kosova.
Gjenocidi në Srebrenicë, sipas YIHR-së, vazhdon të jetë krimi që mohohet më së shumti.
Vetëm gjatë vitit 2025 janë dokumentuar të paktën 30 raste të mohimit të tij.Në raportin e katërt vjetor të organizatës thuhet se praktikat e mohimit dhe glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës, përfshirë Ratko Mlladiqin, nuk janë të pranishme vetëm te përfaqësuesit e pushtetit, por edhe në disa media, parti politike, qarqe fetare dhe në një pjesë të komunitetit akademik.
Autorët e raportit kanë veçuar disa ngjarje të vitit 2025, përfshirë varrimin e gjeneralit të pensionuar të ish-Ushtrisë së Jugosllavisë, Nebojsha Pavkoviq, në Rrugicën e Qytetarëve të Merituar në Beograd.Pavkoviq u varros me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, ndërsa YIHR e ka vlerësuar këtë si një precedent të rrezikshëm.
Në raport përmenden edhe raste të pengimit të bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare të drejtësisë, kundërshtimi i vendimeve të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe emërimi i disa zyrtarëve publikë, të cilat sipas organizatës dëshmojnë për bllokadë institucionale në përballjen e Serbisë me të kaluarën e luftës.
Drejtoresha e YIHR-së, Sofija Todoroviq, ka deklaruar se mohimi dhe relativizimi i krimeve të luftës janë shndërruar në një nga shtyllat kryesore të politikës në Serbi.
Sipas saj, kjo përdoret si mjet për nxitjen e urrejtjes dhe si instrument nacionalist për shpërqendrimin e opinionit publik, duke krijuar ndarje të thella në shoqëri.Ajo ka theksuar se viti i kaluar tregoi qartë se qëllimi i mohimit dhe keqpërdorimit të së kaluarës së luftës është dobësimi i kapaciteteve demokratike të shoqërisë serbe.