Yildiz jashtë për tre muaj, këta janë dy lojtarët që po i kërkon Juventusi

10:21 | 26 Gusht 2026

Situatë shumë e komplikuar në shtëpinë e Juventusit. Lëndimi i Kenan Yildiz do t’i detyrojë drejtuesit e klubit italian të përshpejtojnë në treg, në kërkim të lojtarëve që mund ta rrisin cilësinë e repartit ofanziv.

Numri 10 i bardhezinjve do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në këmbë, ndërsa koha e rikuperimit pritet të jetë rreth tre muaj.

Një goditje që nuk i duhej aspak trajnerit Luciano Spalletti, i cili tani e pret një sulmues të ri për ta riformuar repartin.

Emrat mbeten të njëjtit dhe janë Alexander Sorloth dhe Joshua Zirkzee.

Sipas asaj që raporton sot “Gazzetta dello Sport”, në orët e ardhshme mund të ketë një përshpejtim të negociatave për ta arritur marrëveshjen me njërin prej dy lojtarëve, përcjell “Gazeta Express”.

Sa i përket të parit, interesimi i Atletico Madridit për Nico Gonzalez vazhdon të jetë i pranishëm, por sa i përket çmimit të sulmuesit norvegjez, pengesa mbetet e lartë: 40 milionë euro.

Juventusi tashmë e sheh gjithnjë e më të nevojshme ardhjen e një sulmuesi të ri, sidomos pas sinjaleve të dhëna nga Spalletti për nevojën e një profili më të fortë në qendër të sulmit.

Zirkzee ofron teknikë dhe aftësi për të luajtur në hapësira të ngushta, ndërsa Sorloth përputhet më shumë me profilin e një “numri 9” klasik, të aftë për të përfituar edhe nga topat në ajër.

Tani, pas dëmtimit të Yildizit, Juventusi pritet ta shtojë ritmin në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës, me synimin për ta mbyllur sa më shpejt njërin nga dy opsionet.

Komento: