Ylli i Arsenalit refuzon Galatasarayn, i thotë “jo” ofertës prej 45 milionë eurosh

23:04 | 14 Gusht 2026

Gabriel Martinelli nuk dëshiron të transferohet te Galatasaray gjatë kësaj vere, pavarësisht ofertës së klubit turk për anësorin brazilian.

Sipas gazetës The Athletic, Galatasaray ka paraqitur një ofertë prej 45 milionë eurosh për Martinellin, por 25-vjeçari nuk ka shfaqur interes për një transferim në Turqi.

Kontrata e Martinellit me Arsenalin skadon në vitin 2027, ndërsa “Topçinjtë” kanë edhe opsionin për ta zgjatur atë deri në vitin 2028. Deri tani, klubet nuk kanë nisur negociatat për rinovimin e kontratës.

Martinelli mbetet një prej lojtarëve për të cilët Arsenali do të dëgjonte oferta, në rast se në tavolinë do të mbërrinte një propozim i konsiderueshëm. Megjithatë, braziliani nuk ka dëshirë të largohet nga “Emirates”.

Këtë verë, Arsenali ka transferuar anësorin grek Christos Tzolis nga Club Brugge, ndërsa tentoi edhe transferimin e Vinicius Junior, para se braziliani të rinovonte kontratën me Real Madridin.

“Topçinjtë” e nisën merkaton me nevojën për të shitur disa lojtarë për të balancuar financat. Leandro Trossard u transferua te Besiktas për 20 milionë euro, ndërsa Christian Norgaard iu bashkua Evertonit për rreth 8.1 milionë euro.

Megjithatë, drejtuesit e klubit besojnë se nevojiten edhe disa largime të tjera para mbylljes së afatit kalimtar.

Martinelli iu bashkua Arsenalit nga Ituano në vitin 2019 dhe që atëherë ka zhvilluar 278 paraqitje, duke shënuar 62 gola.

Vetëm sezonin e kaluar, ai luajti 53 ndeshje në të gjitha garat, shënoi 11 gola dhe regjistroi shtatë asistime, duke ndihmuar Arsenalin të shpallej kampion i Ligës Premier dhe të arrinte finalen e Ligës së Kampionëve.

Komento: