Thiago Silva e konfirmon largimin nga PSG.
Finalja e Championsit, e humbur nga PSG kundër Bayern Munich, ishte ndeshja e fundit me fanellën parisiene për Thiago Silva.
Kjo “martesë” ka zgjatur dy muaj më shumë se skadimi i kontratës, e cila nuk do të rinovohet.
Mbrojtësi qendror brazilian, në fakt e ka zyrtarizuar lamtumirën e tij pas ndeshjes me bavarezët.
Për mikrofonat e “RMC Sport”, ai nënvizoi: “Ishte ndeshja ime e fundit me PSG. Jam i trishtuar që po e mbyll kështu. Në të ardhmen do të kthehem me një rol tjetër në këtë klub, por tani duhet të ndryshoj mjedis. Dua të luaj edhe për 3-4 vite të tjera. Kam një synim të vetëm: të jem pjesë e Brazilit në Kupën e Botës 2022, në Katar” .
Për “Sky Sport”, Thiago Silva mohoi thashethemet në lidhje me një marrëveshje të arritur tashmë me Fiorentinën, ndërsa konfirmoi negociatat në vazhdim me klubin vjollcë.
“Unë nuk kam pranuar asnjë ofertë. Lajmet për një marrëveshje të arritur me Fiorentinën nuk janë të vërteta. Agjenti im po flet me Fiorentinën, si dhe me klube të tjera. Unë do të marr një vendim në ditët në vijim, së bashku me familjen”.