Ylli italian në pritje të ofertave, Barcelona shpreh interesim

20:36 | 20 Nëntor 2026

Barcelona ka marrë një sinjal pozitiv në përpjekjen për të transferuar mbrojtësin e Interit, Alessandro Bastoni, pasi e ardhmja e reprezentuesit italian në “San Siro” vazhdon të mbetet e paqartë.

Sipas gazetarit italian Pasquale Guarro, drejtuesit e Interit dhe përfaqësuesit e Bastonit kanë zhvilluar së fundmi një takim, por palët nuk kanë hyrë ende në negociata konkrete për rinovimin e kontratës, transmeton IndeksOnline.

Raportohet se të dyja palët kanë vendosur të presin për të parë se çfarë ofertash do të paraqiten në treg për 27-vjeçarin, përpara se të marrin një vendim përfundimtar për të ardhmen.

Kontrata aktuale e Bastonit me klubin zikaltër skadon në qershor të vitit 2028, çka i jep Interit ende kohë për ta bindur lojtarin të vazhdojë bashkëpunimin.

Megjithatë, mungesa e përparimit në bisedimet për një marrëveshje të re e ka rikthyer mundësinë e largimit të tij në qendër të vëmendjes.

Në këtë situatë, Barcelona mbetet një nga klubet që e vlerëson më së shumti profilin e mbrojtësit italian dhe e mban atë lart në listën e objektivave për përforcimin e repartit defensiv.

Drejtuesit katalunas e kishin shqyrtuar seriozisht transferimin e tij edhe gjatë afatit kalimtar të verës, madje kishin zhvilluar kontakte me përfaqësuesit e lojtarit për t’u informuar mbi kushtet e transferimit – por kërkesat e larta financiare të Interit e bënë të pamundur konkretizimin e marrëveshjes në atë kohë.

Komento: