Telekomi i ka bërë Z-Mobiles një ofertë për vazhdimin e kontratës.
Për më pak se 24 orë Z-Mobile duhet të deklarohet nëse do të vazhdojë partneritetin me Telekomin e Kosovës.
E hëna do të shënojë fundin e një bashkëpunimi 10-vjeçar ndërmjet Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile.
RTK ka mësuar nga burimet e saj se nesër Bordi i Telekomit do të mblidhet nesër gjatë ditës për të marrë një vendim për një partneritet të ri të mundshëm.
Megjithatë para se të mblidhet Bordit, pritet të nisë greva 24 orëshe e sindikalistëve të Telekomit, të cilët kundërshtojnë çfarëdo marrëveshje të mëtejshme me operatorin virtual Z-Mobile.
Për më pak se 24 orë Z-Mobile duhet të deklarohet nëse do të vazhdojë partneritetin me Telekomin e Kosovës, në të kundërtën Z-Mobile nuk do të ekzistojë më.
RTK nga burimet e veta ka mësuar kushtet që Telekomi i ka ofruar Z-Mobile për një partneritet të ri.
Në fakt, Telekomi i ka ofruar 20 për qind të fitimit Z-Mobile, ndërsa 80 për qind do ta mbajë për vete. Ndërkohë, kontrata aktuale ishte 77 për qind për Z-Mobile me 23 për qind për Telekomin.
Kontrata e re nuk do të jetë më e gjatë se tri vjet, me mundësi vazhdimi edhe për dy të tjera, derisa kontrata e parë ishte 10-vjeçare.
Kushti i fundit për vazhdim partneriteti ishte njohja e borxhit prej 12 milionë eurosh, që Z-Mobile nuk ia kishte njohur asnjëherë Telekomit.
Z-Mobile gjatë kësaj kohe nuk ka dhënë ndonjë përgjigje, por ka kërkuar që ta shtyjë afatin e negocimit, gjë të cilën e ka refuzuar Telekomi.
Zyrtarët e Z-Mobile nuk i kanë kthyer përgjigje RTK-së nëse do ta pranojnë ofertën e Telekomit.
Një muaj më herët Telekomi ka lajmëruar operatorin virutal se kontrata me kushte të njëjta nuk do të vazhdohet pas 30 korrikut. Bordi i Telekomit do të mblidhet të hënën për ta diskutuar çështjen e Z-Mobile.
Nga ana tjetër Telekomit i përfundon licenca 10-vjeçare të martën, por RTK merr vesh se Telekomi është licencuar për 15 vjetët e ardhshëm nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit.
Deri në komunikimin e vendimit të Bordit të Telekomit me Z-Mobile sindikalistët e Telekomit do ta nisin grevën një orëshe të hënën, për ta masivizuar të martën, në ditën kur përfundon kontrata aktuale me Z-mobile.
Lamih Balaj, kryetar i Federatës Sindikale të Telekomit tha se punëtorët janë të vendosur që në asnjë mënyrë, me asnjë çmim mos me toleruar që të vazhdohet një kontratë e tillë”.
“Edhe unë po them se ‘Z mobile’ në Telekom është duke ‘dhënë shpirt’ dhe ditën e fundit e ka më 30 korrik, sepse në asnjë mënyrë në asnjë formë nuk do të pranojmë që në emër të shantazheve të mundohet të vazhdohet një kontratë e tillë. Ne si punëtorë jemi të vendosur që në asnjë mënyrë, me asnjë çmim mos me toleruar që të vazhdohet një kontratë e tillë”, tha ai.
Kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, edhe pas shumë përpjekjesh, nuk ka pranuar të flasë për RTK-në, për ta bërë publik qëndrimin e tij në lidhje me Z-mobile.
Nga ana tjetër, Telekomi ka shfrytëzuar të drejtën ligjore për prapësimin e propozimit për Përmbarim, për të cilin kryeshefi Istrefi ka thënë se gjasat janë minimale për të kryer një transaksion prej 25 milionë eurosh, për shkak të gjendjes së rënduar financiare të Telekomit.