Kompania telefonike Z-Mobile dhe Telekomi i Kosovës do të takohen të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë për vendosjen në lidhje me vendimin e 30 milionë eurove që kërkon Z-Mobile si dëmshpërblim.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Kohën Ditore zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se seanca në mes të propozuesit Dadafon.net. LLC, dhe Kundër propozuesit Telekomi i Kosovës SH.A, është caktuar të mbahet me datën 31.01.2019 në ora 13.00”, ka thënë Gashi për gazetën.
Rreth katër vjet me parë, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovë kishte shkelur marrëveshjen pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.
Për këtë çështje në fund të vitit 2016 pati vendosur Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare, e cila e obligonte Telekomin të paguante mbi 30 milionë euro gjobë për shkak të shkeljes se marrëveshjes.
Muaj me vonë ish-kryeshefi I Telekomit, Agron Mustafa se bashku me pronarin e Z-Mobile, Blerim Devolli patën dalë para mediave me arsyetimin se kanë arritur marrëveshje dhe se “Devollët” do e falnin borxhin e Telekomit që I obligonte Arbitrazhi.
Mustafa pati thënë se janë shpëtuar mbi 32 milion euro, ndërsa marrëveshja e arritur atëkohë në mes të Postës së Kosovës dhe Z-Mobile parashih që të paguhen vetëm shpenzimet për arbitrazh, por që Mustafa nuk pati pranuar të tregoj për shumën që do të paguaj.
Përkundër kësaj “Devollët” lëndën e kanë dërguar në departamentin ekonomik të Gjykatës Themelore në Prishtinë.