
Zafir Berisha pretendon se polici e futi në kurth: E kam hangër foren.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha, e ka mohuar se e ka sulmuar policin që e ka gjobitur sot për parkim jo të duhur të veturës.
Madje, ai në një prononcim për Klan Kosovën thotë se kjo është një ‘rrenë e pastër’.
“Pretendimet se unë e kam sulmuar janë rrenë e pastër. Kam kërkuar që policia t’i shikojë edhe kamerat e sigurisë që me siguri që ka në atë zone, sepse po ta sulmoja unë ai nuk do të kishte pasur mundësi që të më gjuajë me gaz lotsjellës”.
Ai pretendon se ky polic që disa ditë i ka vendosur gjobë në veturën e tij, derisa thotë se sot e kishte pritur që t’ia shkruajë gjobën dhe më pas të njëjtën e kishte hedhur.
“Është e vërtetë që unë e kam parë një polic i cili ekskluzivisht që disa ditë është duke vënë gjobë tek vetura ime para Shoqatës së Veteranëve edhe përkundër 20 apo 30 veturave që ishin edhe më keq se unë të parkuara. Unë e kam pritur derisa ma ka shënuar gjobën dhe e kam gjuajtur gjobën ndër makinë”.
Zafir Berisha insiston se nuk e ka sulmuar policin, madje thotë se ishte ky polic – të cilin deklaron se s’e njeh – që e ka provokuar këtë situatë tash e sa ditë për çka thotë se “e hëngri foren”.
“Është e pavërtetë. Jo që e kam sulmuar unë policinë, por policia pa asnjë arsye më ka sulmuar mua para Shoqatës së Veteranëve me gaz lotsjellës. Me gjasë unë i kam dhënë shkak atij polici i cili në bazë të deklaratës që e ka dhënë ai është njeri i cili e ka arritur misionin. Unë është e vërtetë që e kam “hangër foren” që thuhet me këtë zhargonin e rrugës”.
Berisha theksoi se nuk e ka idenë se kush është ai polic, por pret që të sqarohet.
“Unë as që e kam idenë se kush është ai polic, vetëm e di se i takon gjeneratës së re që me gjasë i kanë bërë trushpëlarje në raport me disa prej neve. Unë pres që edhe ai të sqarohet dhe ta di se kush është ai person i cili më gjuan me gaz lotsjellës. Në fund të fundit që disa ditë e paguaj gjobën dhe në momentin që e pashë duke e shkruar gjobën në shenjë pakënaqësie e kam gjuajtur gjobën. Dhe këtë ai e paska pritur. Ai paska pritur që ta realizojë misionin e tij që unë të futem si pjesë e lajmeve nga trushpëlarët”.
Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme deklaron se nëse do të sulmonte ndonjë polic do të burgosej dhe nuk do të ishte tani në shtëpi.
“Po ta sulmoja unë nuk do të isha në shtëpi. Ai i ka vendosur gjobë makinës time kur aty ishin edhe disa makina të tjera. Ai ka ardhur me biçikletë. I ka tejkaluar të gjitha makinat dhe na ka vendosur gjoba në makinën time dhe të një shoku të luftës”.