Zbardhet agjenda e mbledhjes së përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë

18:38 | 14 December 2024
zbardhet-agjenda-e-mbledhjes-se-perbashket-te-kuvendit-te-kosoves-dhe-atij-te-shqiperise

Javën e ardhshme, më 20 dhjetor Shqipëria dhe Kosova do të zhvillojnë mbledhje të përbashkët të dy parlamenteve. Pritet që nga Shqipëria te shkojnë rreth 70 deputetë dhe nga Kosova rreth 60. Po ashtu të pranishëm në këtë takim do të jenë edhe kryeministrat e dy vendeve, Edi Rama dhe Albin Kurti.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Elisa Spiropali ka dhënë detaje mbi organizimin.

“Ky Kuvend i përbashkët vjen si nevojë e koordinimit të agjendës tonë kombëtare për realizimin e objektivave strategjike, anëtarësimin e Shqipërisë në BE, integrimet euro-atlantike të Kosovës, mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe rritjen e kontributit të faktorit shqiptar në zhvillimin, demokratizimin, paqen e sigurinë në rajon e më gjerë”, tha Spiropali.

Sipas agjendës së zbardhur nga mediat në Shqipëri, takimi do të hapet me fjalën e kryetarëve të dy Kuvendeve dhe do të vijojë me ato të krerëve të grupeve parlamentare. Ndërkohë fjalën mbyllëse do ta mbajnë Rama dhe Kurti.

Seanca është e parashikuar për të nisur në orën 11:00.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, do të mbajë një fjalë hapëse prej 10 minutash në këtë seancë.

Një fjalim pritet ta mbajë më pas edhe kryeparlamentarja shqiptare, Elisa Spiropali.

Mbledhja pritet të mbyllet me fjalimet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe atij të Kosovës, Albin Kurti.

Kjo është mbledhja e dytë mes dy parlamenteve, ku për herë të parë u mblodhën më 27 nëntor 2022 në Kuvendin e Shqipërisë, me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë.

Komento: