Një bisedë mes Macronit dhe Putinit ka ndodhur sot.
Sot gjatë ditës ishte raportuar se Putin dhe Emmanuel Macron i Francës kishin folur me telefon për gati dy orë tani janë zbuluar detaje të asaj që u tha nga Parisi dhe Moska, shkruan BBC.
Përfaqësues nga zyra presidenciale e Macron në Francë, Elyséee, thanë se Macron i kishte kërkuar Putinit që t’i jepte fund sulmit rus dhe të garantonte sigurinë e vendeve bërthamore të Ukrainës pasi granatimet shkaktuan një zjarr në centralin bërthamor në Zaporizhzhia.
Ndërkohë, raportohet se Putini i tha Macronit se Rusia nuk kërkon të sulmojë centralet bërthamore.
Putin i tha gjithashtu Macronit se Rusia do t’i arrijë qëllimet e saj përmes “negociatave ose luftës”, tha presidenca franceze, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
Ndërkohë, në deklaratën e Kremlinit thuhet se Putin fajëson ukrainasit për incidentin e centralit bërthamor. Ai i tha Macronit se kishte qenë një “provokim” i organizuar nga “radikalët ukrainas”. Kremlini shtoi se personeli rus dhe ukrainas po ruanin bashkërisht vendin dhe se nivelet e rrezatimit ishin “normale”.
Putin tha gjithashtu se përpjekjet e së shtunës për të evakuuar civilët nga qytetet jugore të Mariupol dhe Volnovakha kishin dështuar sepse “nacionalistët ukrainas” refuzuan t’i linin njerëzit të largoheshin dhe përdorën armëpushimet e përkohshme vetëm për t’u përforcuar më tepër.
Ukraina tha se bombardimet ruse kishin vazhduar gjatë armëpushimeve të shtunën dhe të dielën. Më herët gjatë ditës së sotme, Kryqi i Kuq tha se të dy palët nuk kishin arritur të bien dakord për detajet se si do të funksiononin evakuimet.