Aeroplani Prishtinë-Basel ka pasur rënie përafërsisht 500 metra.
Kryesuesi i Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike dhe Hekurudhore (KHAIA), Mirsim Beqiri, ka folur për RTK-në në lidhje me rastin e fundit, turbulencën e cila ka ndodhur gjatë fluturimit të aeroplanit të kompanisë ajrore ALK Airlines, nga Prishtina për në Bazel.
Beqiri ka treguar se ky aeroplan ishte në nivelin e fluturimit FL 360 kur ka hyrë në stuhi dhe ka pasur rënie përafërsisht 500 metra.
Si pasojë e turbulencës ndihmë mjekësore kanë kërkuar tetë pasagjerë.
Ai ka theksuar se sipas vlerësimeve aeroplani Prishtinë-Basel ka qenë i sigurt.
“Fotografitë e interierit të aeroplanit që kanë qarkulluar në media nuk paraqesin rrezikim të sigurisë së fluturimit. Në fotografi shihen rregullime të pjesëve të brendshme dekorative e jo të strukturës së aeroplanit. Vlerësimi i sigurisë së këtij aeroplani të huaj është bërë disa herë nga inspektorët e Aviacionit Civil të Kosovës.Inspektime të njëjta kryhen edhe nga shtetet e tjera ku aeroplani operon, dhe nuk pasur ndonjë informacion për ndonjë defekt në strukturën e aeroplanit”, ka theksuar Beqiri për RTKlive.
Ai ka thënë se të gjithë aeroplanët që kanë linja në Aeroportin e Prishtinës janë të sigurt dhe të njëjtit veprojnë në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.
Në këtë intervistë Beqiri ka treguar se në Aeroportin e Prishtinës kanë dy probleme që zakonisht përsëriten; sulmet e zogjve dhe sulmet me laser. “Sulmet e laserëve të cilët zakonisht ndodhin në afërsi të Aeroportit të Prishtinës janë mjaft të rrezikshme për fluturaket, andaj për çdo rast të sulmeve me laser njoftohet Policia e Kosovës. Në bazë të ligjit për Aviacion civil 03/L-051 sulmet me laser konsiderohen vepër penale dhe mund të dënohen deri në pese vite burgim”, ka deklaruar kryesuesi i Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike dhe Hekurudhore (KHAIA), Mirsim Beqiri.
-Z. Beqiri, Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës (AACK) dhe Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA) ka lëshuar një komunikatë të përbashkët rreth në lidhje me turbulencën e cila ka ndodhur gjatë fluturimit të aeroplanit të kompanisë ajrore ALK Airlines, nga Prishtina për në Bazel. A mund të na thoni diçka më gjerësisht rreth këtij rasti?
Mirsim Beqiri: Më 16 qershor në orën 16:17 UTC Aeroplani i tipit Boeing me numër të regjistrimit LZ-MVK i kompanisë ALK Airlines me numër të fluturimit VO 7205 është nisur nga Aeroporti i Prishtinës me destinacion Prishtinë – Basel, i cili ka hasur në turbulenca (stuhi) në territorin e Malit të Zi. Ky aeroplan ishte në nivelin e fluturimit FL 360 kur ka hyrë në stuhi dhe ka pasur rënie prej 1500 ft (përafërsisht 500 metra). Me këtë rast piloti ka kërkuar ndryshim të nivelit, dhe për stabilizimin e aeroplanit ka ndalur autopilotin që të marrë drejtimin në dorë. Paraprakisht në aeroplan ishte dhënë sinjali për rrypinë e sigurisë.Piloti nuk ka shpallur emergjencë dhe ka vazhduar drejt Baselit, i cili ka aterruar në orën 06:13 PM (UTC).Pasi nuk kishte emergjencë të shpallur nga piloti, në këto raste nuk ka nevojë që të aterrojë në ndonjë aeroport me të afërt.I njëjti aeroplan pas një kontrolle në aeroportin e Baselit është ngritur në orën 08:24 PM (UTC) nga Baseli në drejtim të Prishtinës me udhëtarë, i cili ka aterruar në Prishtinë në orën 10:20 PM (UTC). Sipas informacioneve zyrtare për këtë rast, ndihmë mjekësore kanë kërkuar tetë persona, tre prej tyre kanë qenë të lënduar: një pasagjer i ndodhur jashtë ulëses, një tjetër nga ujë i nxehtë i kafes, dhe një tjetër nga rënia e bagazhit mbi ulëse. Ndërkaq pesë pasagjerë të tjerë kanë pasur trauma.Ndihmën mjekësore e kanë ofruar stafi mjekësor i aeroportit të Baselit. Nga momenti kur kemi pranuar informacionin për këtë rast, KHAIA ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Bordin e Hetimeve të Aksidenteve Ajrore në Francë, Bordin e Hetimeve të Aksidenteve Ajrore në Zvicër, Bordin e Hetimeve të Aksidente Ajrore në Malin e Zi, dhe Bordin e Hetimeve të Aksidenteve Ajrore në Bullgari. Pra, kemi kërkuar informacione zyrtare në lidhje me rastin.
-Në raste të tilla cili është roli i KHAIA-s?
Mirsim Beqiri: Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike në Zyrën e Kryeministrit, është themeluar në bazë të Ligjit Nr. 03/L- 051 për Aviacionin Civil. KHAIA është përgjegjëse për hetimin e aksidenteve dhe incidenteve në aviacion dhe hekurudha brenda Kosovës ose ku përfshihen avionët e regjistruar në Kosovë kudo qofshin ata, si dhe në bazë të aneksit 13 të ICAO jemi të obliguar të marrim pjesë në cilësinë e vëzhguesit në çdo vend të botës nëse ndodh një aksident apo incident ku ka të përfshirë qytetarë të Republikës së Kosovës. Andaj duke u bazuar në përgjegjësitë ligjore të KHAIA-së ne kemi komunikuar me organet e hetimeve të aksidenteve ku në këtë rast ishin të involvuar dhe kemi marrë informacione zyrtare lidhje me sigurinë e qytetarëve tanë në fluturim.
-Në media kanë qarkulluar disa fotografi të interierit të aeroplanit i cili shihet se nga brenda ka plasaritje, ndërkohë AACK-ja dhe KHAIA thonë se aeroplani ka qenë në rregull?
Mirsim Beqiri: Fotografitë e interierit të aeroplanit që kanë qarkulluar në media nuk paraqesin rrezikim të sigurisë së fluturimit. Në fotografi shihen rregullime të pjesëve të brendshme dekorative e jo të strukturës së aeroplanit. Vlerësimi i sigurisë së këtij aeroplani të huaj (SAFA – Safety Assessment of Foreign Aircraft) është bërë disa herë nga inspektorët e Aviacionit Civil të Kosovës.Inspektime të njëjta kryhen edhe nga shtetet e tjera ku aeroplani operon, dhe nuk pasur ndonjë informacion për ndonjë defekt në strukturën e aeroplanit.Prandaj, ne kemi dalë me komunikatë në lidhje me këtë rast, dhe prapë po e përsërisë se aeroplani ka qenë i sigurt.
-Për dallim nga rastet tjera kur KHAIA ka lëshuar raporte, pse nuk kësaj here nuk kemi një raport rreth rastit në fjalë?
Mirsim Beqiri: KHAIA në bazë të obligimeve ligjore ka përcjell me vëmendje dhe prioritet të lartë këtë rast, por pasi që nuk jemi vend i ngjarjes (occurences) në bazë të rregulloreve të KHAIA-së dhe ligjeve ndërkombëtare ne nuk kemi të drejt të hapim rast por të marrim pjesë në cilësinë e vëzhguesit. Në këtë rast, vend i ndodhisë (occurences) ka qenë Mali i Zi, kurse vend i regjistrimit Bullgaria. Të dyja këto vende na kanë informuar në rrugën zyrtare që nuk do të hapin rast pasi që turbulencat në aviacion njihen si normale, kurse ne kemi përgatitur një raport detal për kryeministrin dhe kabinetin e tij dhe kemi dalë me një komunikatë të përbashkët me Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës. Nëse njëra nga këto shtete do të hapte rast, KHAIA ka shprehur gatishmërinë e saj që të japë kontribut në hetime deri në raportin final.
KHAIA në vitin 2018 ka hetuar një rast tjetër që ka qenë në të njëjtën linje Prishtinë-Basel i kompanisë greke “Orange2fly”, i cili kishte pasur një aterrim shumë të vështirë (Hard Landing) 3.04G në Aeroportin e Prishtinës dhe në mungesë të letrës në printer nuk ishte diktuar.Ky aeroplan kishte vazhduar edhe tetë sektorë të tjerë në relacion Prishtinë-Basel. Me marrjen e informacionit ne kemi hapur hetime dhe kemi kontaktuar me AIRBUS, ku e kanë marrë aeroplanin dhe e kanë dërguar në skenim.Për këtë rast ka raport zyrtar me rekomandimet e nevojshme, i cili i është dërguar Parlamentit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
-A janë të sigurt aeroplanët që kanë linja nga Aeroporti i Prishtinës, e kam fjalën në aspektin teknik?
Mirsim Beqiri: Këtu dua ta bëjë të qartë për opinionin publik se aeroplanët që operojnë në Aeroportin e Prishtinës nuk janë të veçantë, të njëjtit aeroplanë veprojnë edhe në Evropë siç ishte rasti i aeroplanit bullgar, ku ky aeroplan gjatë muajit qershor kishte fluturuar edhe në vendet e Evropës. Vetëm gjatë muajt qershor ky aeroplan fluturon nga Bullgaria në Angli, pastaj Angli-Spanjë etj.
(Posedojmë listën e të gjitha fluturimeve).Lejet e fluturimit janë leje evropiane që plotësojnë të gjitha standardet e BE-së siç njihen në aviacion certifikatë valide të vlefshmërisë ajrore (certificate of airworthiness CoA), certifikatë valide të rishikimit vjetor të vlefshmërisë ajrore (airworthiness review certificate – ARC). Këto dy certifikata (CoA dhe ARC) konstatojnë për gjendjen e rregullt teknike të një aeroplani. Certifikata e vlefshmërisë dhe certifikata e rishikimit vjetor të vlefshmërisë ajrore (CoA dhe ARC) nuk lëshohen nëse mirëmbajta nuk është kryer në një ambient të kontrolluar nga Agjencioni Evropian mbi Sigurinë e Aviacionit (EASA controlled environment).Prandaj, të gjithë aeroplanët që funksionojnë në Aeroportin e Prishtinës janë të sigurt dhe të njëjtit veprojnë në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.
-Ka pasur raste kur aeroplanët në Kosovë rrezikohen me dritë laserike nga persona të papërgjegjshëm.A po ka këso raste më dhe si po veprohet në parandalimin e tyre?
Mirsim Beqiri: Në Aeroportin e Prishtinës kemi dy probleme që zakonisht përsëriten; janë sulmet e zogjve dhe sulmet me laser. KHAIA në planin e punës së saj për vitin 2019 ka paraparë që të hapë dy raste në lidhje me këto dy shqetësime dhe të do dalim me raport cili përmban edhe rekomandimet e nevojshme ku pastaj do t’i dërgohen Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës. Hetimet do të jenë të pavarura dhe sipas standardeve të BE-së. Sulmet e laserëve të cilët zakonisht ndodhin në afërsi të Aeroportit të Prishtinës janë mjaft të rrezikshme për fluturaket, andaj për çdo rast të sulmeve me laser njoftohet Policia e Kosovës. Në bazë të ligjit për Aviacion civil 03/L-051 sulmet me laser konsiderohen vepër penale dhe mund të dënohen deri në pese vite burgim.
-Cili është bashkëpunim i KHAIA-s me institucionet simotra?
Mirsim Beqiri: KHAIA ka bashkëpunim të mirë me institucionet simotra në të gjithë botën, në veçanti me ato të Bashkimit Evropian. Kemi kontakte të vazhdueshme me të gjithë pasi që të gjithë kemi vetëm një synim të punojmë së bashku dhe të rrisim sigurinë për qytetarët tanë.
KHAIA ka memorandume bashkëpunimi me Bordin e hetimeve të Aksidenteve Ajrore të Anglisë, Francës, Gjermanisë, Kroacisë, Shqipërisë, dhe jemi në fazën përfundimtare të memorandumit me Republikën e Maqedonisë Veriore.
KHAIA është e anëtarësuar në institucionet ndërkombëtare të hetimit të Aksidenteve Ajrore dhe të Hekurudhave. European Network of Civil Aviation Safety Investigation Authorities (ENCASIA) -që është organ i Komisionit Evropian.Në këtë Instuticion marrin pjesë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe tre Vëzhguse Norvegjia,Islanda dhe Kosova.Jemi pjese e këtij instuticioni me te lart te BE-se pasi qëkemi plotësuar te gjitha standartet qe te jemi ne hap me vendet e BE-se në fushën e hetimit të Aksidenteve Ajore.Deri tani jemi vendi i vetëm nga Ballkani qe përfaqësomi në cilesin e vëzhguesit në ENCASIA dhe marrim pjesë në takimet e rregullta dy here në vitë si dhe trajnimet që organizohen. European Agency for Realway (ERA)-Agjensioni i Hekurudhave të BE-së, në këtë organ KHAIA e përfaqëson Republiken e Kosovës përmes programeve të IPA-së dhe marrim pjesë në takime të rregullta dhe trajnime. International Society of Air Safety Investigators(ISASI)-Shoqata e Hetimit të Aksidenteve Ajore me seli në Washington D.C ,në këtë shoqatë jemi anëtar me të drejta të plota.Kjo shoqat është mëe madhja në botë dhe përfaqësohet nga të gjitha vendet e botës.KHAIA merr pjesë në takimetë rregullta vjetore dhe trajnimet e organizura. European Society of Air Safety Investigators(ESASI)- Shoqata për Hetimin e Akidenteve Ajore të Evropës,këtu jemi anëtar me të drejta të plota dhe kjo shoqat përbëhet nga të gjitha vendet e Evropes duke përfshire edhe vendet e BE-së.
Të gjithë hetuesit e KHAIA-së janë të trajnuar nga institucionet jashtë vendit, të njohura ndërkombëtarisht ku marrim licenca të rregullta dyvjeçare për hetimin e aksidenteve ajrore dhe hekurudhore.Pa këto licenca në rast të një aksidenti apo incidenti hetuesit tanë nuk mund të marrin pjesë në hetime apo shikimin e provave në vendin e ngjarjes.
KHAIA ka shërbim të kujdestarisë 24/7, ku njëri nga hetuesit tanë është në detyrë, andaj të gjithë qytetarët për ndonjë aksident apo incident mund të lajmërojnë në numrin pa pagës 080090000 në çdo kohë.