Ish-ushtari i UÇK-së Nysret Cena u ekzekutua me breshëri plumbash në veturën e tij në Kaçanik të Vjetër. Deri më tani nuk është identifikuar asnjë i dyshuar për vrasjen e tij. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha se hetimet janë duke u zhvilluar në mënyrë shumë intensive.
Kryeprokurori Shukri Jashari zbuloi se tabelat e veturës Mercedes e cila u gjet e djegur pasi u vra Nysret Cena, janë identifikuar se i takojnë një veture të tipit Passat. Kryeprokurori tha se dihet kujt i takojnë ato tabela dhe sot pritet të gjendet personi dhe të pyetet se si i kanë humbur tabelat dhe a kanë qenë të lajmëruara në polici.
Ai tha se për këtë vrasje disa hetues janë angazhuar për të kryer hetime edhe në Prishtinë.
“Lidhur me rastin në fjalë kemi autorizuar policinë, hetimet janë duke u zhvilluar në mënyrë shumë intensive. Disa hetues janë angazhu kah Prishtina disa kah regjioni ynë. Janë vetëm tabelat e veturës që kanë qenë të vendosura në veturën e djegur Mercedes i takojnë një veture Passat, është identifiku kujt i takojnë. Policia ka me gjetë personin me ditë qysh i kanë humb tabelat, a kanë qenë të lajmëruara në polici”, tha Jashari për Gazetën Express.
Po ashtu konfirmoi se akoma nuk ka persona të dyshuar për vrasjen e 48-vjeçarit.
Policia ka njoftuar se për vrasjen është informuar me datën 23.01.2023 rreth orës 23:50, ku në automjet në rrugën magjistrale Ferizaj–Kaçanik, në Kaçanik të Vjetër ndodhej Nysret Cena.
Më pas policia kishte pranuar një informacion tjetër se në fshatin Soponicë të Kaçanikut afër autostradës një automjet tjetër i udhëtareve ishte përfshirë nga flaka.
“Ekipet zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë shuar zjarrin”, njoftoi policia.
Por, jo larg vendit të ngjarjes në fshatin Soponicë të Kaçanikut është gjetur edhe një automjet tjetër i udhëtarëve i përfshirë nga flak.
Sipas policisë, ekziston dyshimi se personat e dyshuar pasi e kanë kryer vrasjen në Kaçanik të Vjetër i kanë vënë flakën automjetit dhe janë larguar.
“Nga hetimet e para, ekzaminimit të vendit të ngjarjes dyshohet se personi/persona të panjohur në Kaçanik të Vjetër nga afërsia kanë shti breshëri plumbash mbi automjetin dhe shoferin e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, ka konfirmuar policia.
Me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Nysret Cena nuk është emër i padëgjuar për organet e drejtësisë. Ai ishte i akuzuar për dy raste, por që më pas ishte liruar nga akuzat.
Cena akuzohej për shpërthimin që kishte ndodhur në vitin 2007 në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë.
I njëjti së bashku me dy persona tjerë ishte i akuzuar për vrasjen e trefishtë afër Kaçanikut, ndodhur në vitin 2007, por që ishte liruar edhe nga kjo akuzë.
Ish-veterani i UÇK-së, Nysret Cena do të varroset sot në varrezat e fshatit Kaçanik të Vjetër në orën 15:00.