Zbulohen detaje të reja tronditëse rreth vrasjes së 32 vjeçarit në Ferizaj: Viktima u gjet i vdekur në banesën e dorasit

10:48 | 29 Qershor 2026

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Ferizajt mbrëmjen e së dielës, ku një 32-vjeçar ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit.

Lidhur me këtë rast, Gazeta Insajderi ka mësuar se trupi i pajetë i viktimës është gjetur brenda një banese në katin e nëntë të objektit “Intercon C1”, që ndodhet në rrugën “Sejdi Sejdiu” në Ferizaj.

Po ashtu, gazeta ka mësuar se Policia dhe Prokuroria kanë vënë në pranga dy persona, babë e bijë, të cilët dyshohen për përfshirje të drejtpërdrejtë në këtë vrasje të rëndë.

Burimet brenda organeve të hetuesisë bëjnë të ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë Muhamet Begisholli, rreth 48 vjeç, dhe vajza e tij Arjeta Roshaj, rreth 24 vjeç.

Të ky dyshohen se janë autorët e këtij krimi dhe tashmë ngarkohen zyrtarisht me veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Viktima e këtij rasti është identifikuar si Florim Haxhidema, rreth 32 vjeç.

Sipas informacioneve të para, viktima kishte një plagë në kokë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit, ndërsa pranë trupit u gjet dhe u sekuestrua një pistoletë së bashku me një gëzhojë, të cilat janë dërguar për ekzaminime forenzike.

Banesa ku ndodhi ngjarja tragjike dhe ku u gjet i vdekur 32-vjeçari, rezulton të jetë pikërisht në pronësi të të dyshuarit (dorasit) Muhamet Begisholli.

Hetimet e deritanishme tregojnë se në momentin e incidentit, në ambientet e kësaj banese ndodheshin edhe bashkëshortja e tij, Hanife Roshaj, si dhe vajza e tyre e arrestuar, Arjeta Roshaj.

E dyshuara Arjeta Roshaj ka pësuar gjithashtu lëndime trupore gjatë këtij incidenti dhe është dërguar për trajtim në Repartin e Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Edhe ndaj saj është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, i cili po zbatohet nën masat e sigurisë policore.

Nga ana tjetër, Hanife Roshaj, bashkëshortja e të dyshuarit dhe nëna e 24-vjeçares, në këtë fazë fillestare të procedurës po trajtohet vetëm në cilësinë e dëshmitares dhe pritet të intervistohet së shpejti për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i Florim Haxhidemës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa policia po vazhdon punën intensive për të zbuluar motivet dhe rrethanat e plota që çuan deri te kjo tragjedi e rëndë.

Komento: