Zbulohen detajet e marrëveshjes, Muriqi gjithnjë e më afër Lazios

16:47 | 13 August 2020

Muriqi gjithnjë e më afër Lazios, zbulohen detajet e marrëveshjes.

Vedat Muriqi ka fytyrën e një futbollisti të egër.

Fenerbahçe zgjodhi shikimin serioz të shtatlartit dardan për të prezantuar fanellat për sezonin e ri, por probabiliteti që ai të mos e veshë më fanellën e “kanarinave të verdha” është shumë i lartë.

Nga e verdha e gjigantëve të Stambollit, tek e kaltra e Lazios. Mediet në Itali raportojnë se kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla për të zyrtarizuar marrëveshjen.

Igli Tare i ka bindur drejtuesit e Fenerbahces të pranojnë ofertën 16 milionë euro, plus 2 milionë në formë bonusesh. Para se të hidhet e zeza mbi të bardhë, Lazio duhet të zgjidhë më parë të ardhmen e Caicedos, ndërsa pagesa për kartonin e Muriqit kërkohet të bëhet në tre kestë.

Sa për kuriozitet, ditët e fundit familja Muriqi i kaloi pushimet në të njëjtin vend, në Turqi, ku ndodhej Sergej Milinkovic-Savic. Ndoshta mes tyre është bërë biseda me transferimin e 26-vjeçarit në kryeqytetin italian.

Muriqi pritet të vihet nën urdhrat e Simone Inzaghit pas një sezoni si protagonist te Fenerbahçe, gjatë të cilit shënoi 15 gola. Hera e dytë radhazi që arrin numër dyshifror golash, pas 17 golave të shënuar gjatë 2018-19 me Caykur Rizespor.

Komento: