Detajet nga marrëveshja e Juves me Atleticon për Moratan.
Alvaro Morata është kthyer te Juventusi, ku gjatë të martës e ka nënshkruar edhe marrëveshjen zyrtare.
Sulmuesi spanjoll është transferuar te Zonja e Vjetër në formë huazimi njëvjeçar me opsionin e blerjes në fund të sezonit, ndërsa Bianconerët e kanë publikuar dokumentin e marrëveshjes.
Në këtë dokument bëhet e ditur se 27-vjeçari do të jetë pjesë e Juves deri në fund të sezonit sportiv 2020/2021, ndërsa për këtë periudhë klubi italian do të paguajë 10 milionë euro.
Juventusi e ka opsionin që t’i kërkojë të drejtat e plota të lojtarit në fund të sezonit dhe me këtë rast do të paguajë 45 milionë euro brenda një periudhe trevjeçare.
Po ashtu, kampioni i Serie A ka të drejtë që t’ia zgjatë huazimin Moratas edhe për sezonin 2021/2022 për 10 milionë euro të tjera, dhe sërish në fund të atij sezoni mund ta blejë duke paguar 35 milionë euro.
Morata ka qenë pjesë e Juventusit gjatë viteve 2014-2016 dhe asokohe Real Madridi e shfrytëzoi të drejtën e riblerjes për ta shitur pastaj te Chelsea.