Janë mësuar emrat e grave që do të jenë deputete nga radhët e PDK-së.
Eliza Hoxha, Ariana Musliu-Shoshi, Evgjeni Thaçi-Dragusha, Ganimete Musliu, Blerta Deliu, Besa Ismaili, Filloretë Zejnullahu dhe Valdete Idrizi do të jenë deputete të PDK’së në Legjislaturën e VII.
Këngëtarja Eliza Hoxha ka arritur sukses dhe është bërë deputete. S’e ka pasur fatin e kolegeve të saj nëpër parti tjera që kanë dështuar të bëhen përfaqësues të popullit.
Ajo ka pasur numrin tre në listën PDK’së ndërsa kanë votuar pro saj 9 mijë e 256 votues.
E dyta në PDK në listën e grave deputete është Ariana Shoshi-Musliu. Ajo ka marrë 8 mijë e 778 vota.
Mbesa e Presidentit Hashim Thaçi, Envegjia është bërë përsëri deputete. Ajo ka marrë 8 mijë e 333 vota.
Ganimete Musliu vazhdon të përfaqësojë PDK’në në Parlamentin e Kosovës. Ajo ka fituar edhe në këtë mandat të bëhet përfaqësuese e popullit. Ka marrë 8 mijë e 240 vota.
Pjesë e Parlamentit të Kosovës do të jetë edhe ish-gazetarja e RTK’së. Blerta Deliu-Kodra ka marrë 8 mijë e 78 vota.
Edhe gruaja me mbulesë, Besa Ismaili ka arritur të behet deputete. Pavarësisht se është renditur e dyta në listën e grave në garën për deputete, ajo ka arritur të marrë vetëm 7 mijë e 876 vota.
Filloretë Zejnullahu është treguar më e fuqishme se ish-komandantët e UÇK’së së Zonës së Llapit. Ka arritur të marrë 7 mijë e 33 vota dhe do të jetë deputetja e vetme nga Podujeva në listën e PDK’së.
Këto të dhëna i ka siguruar Gazeta Express në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe nga Qendra për Numërimin e Rezultateve.
Humbësja e garës për Kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi do të jetë pjesë e Parlamentit. Ajo ka marrë 6 mijë e 226 vota.
PDK, për herë të parë prej pasluftës, doli e treta dhe ka vendosur të mbetet në opozitë. Ka qenë në pushtet prej vitit 2007, kur kishte fituar garën elektorale. Në dy mandate ka pasur pozitën e Kryeministrit ndërsa në dy mandatet e fundit ka qenë në pushtet por Shefi i Qeverisë ishte i partive tjera.
Kadri Veseli ka thënë se do të vazhdojë të mbetet në krye të PDK’së dhe s’ka dhënë asnjë shenjë se mund të largohet nga udhëheqja e Partisë.
PDK kishte përfunduar zgjedhjet partiake para zgjedhjeve derisa ende s’ka emëruar as Nënkryetarët dhe as Kryesinë. Vazhdon të funksionojë vetëm me Kryetarin në detyrë dhe Këshillin Drejtues.
Express ka raportuar më herët se tre më të votuarit e PDK’së janë: Kadri Veseli, Uran Ismaili dhe Mërgim Lushtaku. Jashtë Parlamentit do të jenë: Xhavit Haliti, Hajdar Beqa.
Express ka raportuar po ashtu se pjesë e Parlamentit do të jetë edhe Hajredin Kuçi, profesor i UP’së dhe Nënkryetar i PDK’së.
Express ka shkruar se Uran Ismaili, Bedri Hamza Abelard Tahiri dhe Kujtim Gashi janë bërë pjesë e Parlamentit. Ka dështuar vetëm Dhurata Hoxha që ka pasur pozitën e Ministres së Integrimeve Europiane.
Bajrush Xhemajli, Enver Hoxhaj, Memli Krasniqi dhe Sejdiu Hoxha, po ashtu, do të jenë pjesë e Parlamentit të Kosovës.