Ronald Koeman dorëzon listën me katër dëshira transferimesh për këtë verë.
Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman i ka dhënë klubit një listë të ngushtë me katër lojtarë për të nënshkruar në katër javët e ardhshme para mbylljes së afatit kalimtar.
Sipas gazetës spanjolle Marca, trajneri holandez tashmë ka ndarë mendjen për përforcimet e skuadrës para nisjes së sezonit 2020/21.
Tre nga lojtarët që pëlqehen nga Koeman janë holandezë dhe kanë qenë në urdhrat e tij gjatë kohës si trajner i kombëtares.
Sulmuesi i Lyonit, Memphis Depay është i pari në listë së bashku me mesfushorin e Liverpoolit, Georginio Wijnaldum.
Një emër i ri dhe i papërmendur më parë është mbrojtësi qendror i Interit, Stefan de Vrij, ndërsa në mbrojtje synohet edhe Eric Garcia i Manchester Cityt, transmeton telegrafi.
Depay, Wijnaldum dhe Garcia janë të gjithë lojtarë që po hyjnë në vitin e fundit të kontratave të tyre përkatëse, që do të thotë që të tre klubet e tyre ka të ngjarë të konsiderojnë një shitje me një çmim të reduktuar të tregut.
Mesfushori i Juventusit, Miralem Pjanic është mbërritja e vetme e konfirmuar në Camp Nou deri më tani këtë verë – edhe pse sulmuesit e rinj Pedri dhe Francisco Trincao janë bashkuar përkatësisht nga Las Palmas dhe Braga.
Largimet e deritashme të Barcelonës janë mesfushorët Arthur Melo dhe Ivan Rakitic, ndërsa rrugës së tyre thuhet se është edhe Luis Suarez.