Zbulohen mallra mbi 500 mijë euro të dyshuara për kontrabandë në Prishtinë

16:50 | 27 Shkurt 2026
zbulohen-mallra-mbi-500-mije-euro-te-dyshuara-per-kontrabande-ne-prishtine

Mbi 500 mijë euro mallra të dyshuara për kontrabandë janë zbuluar të premten në periferi të Prishtinës, ka njoftuar Dogana e Kosovës.

Sipas njoftimit, doganierët bazuar në informata të siguruara përmes rrugëve operative, kanë realizuar një kontroll në një depo ku dyshohej për mallra të kontrabanduara.

“Kontrolli është kryer në përputhje me autorizimet që rrjedhin nga Kodi Doganor i Republikës së Kosovës. Gjatë veprimeve në terren është konstatuar një sasi e konsiderueshme mbathjesh me marka të mbrojtura tregtare”, thuhet në njoftim.

Sipas Doganës, depoja nuk ishte e regjistruar si biznes dhe nuk posedonte dokumentacion që dëshmonte prejardhjen e mallit.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila ka udhëzuar zyrtarët doganorë për ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme hetimore.

Aktualisht, malli është duke u sekuestruar dhe inventarizuar, ndërsa vlera e përafërt e mallit të dyshuar vlerësohet të jetë mbi 500 mijë euro.

Komento: