Zbulohen shkaqet e vërteta të aksidentit tragjik në Gjilan

19:23 | 07 March 2019

Aksidenti tragjik në qytetin e Gjilanit, tronditi tërë vendin duke lënë pa shenja jete një person dhe 20 të lënduar.

Eksperti i Komunikacionit Muhamet Krasniqi, ka vlerësuar se kamioni që u përfshi në aksidentin e sotëm në Gjilan ishte duke ecur me shpejtësi të madhe, megjithatë theksoi se duhet të presim përfundimin e ekspertizës për ta kuptuar shkakun.

“Nga pamjet filmike vërehet një shpejtësi e madhe dhe një humbje totalisht e mjetit transportues”.“Këtu flitet për një tejkalim të shpejtësisë përderisa ende nuk dimë për gjendjen fizike dhe psikike të ngasësit”.

Krasniqi tha se qarkullimi i automjeteve nëpër rrugët urbane përcaktohet në nivel komunal, përderisa jashtë komunave përcaktimin e bën Ministria e Infrastrukturës.

Ai gjithashtu theksoi se ka nevojë për kontrolle të vazhdueshme teknike dhe ngritje të vetëdijesimit të popullsisë për sjellje në trafik.

“Duhet të kenë trajnime te përhershme për zhvillimin e tyre profesional. Për çdo vit duhet te ketë trajnime permanente, fundja teknologjia vazhdimisht është duke u zhvilluar.

“Kemi probleme reale me edukimin dhe kulturën për sjellje të sigurt në trafik. Duhet të punohet drejtpërsëdrejti në mënyrë që të parandalohen këto aksidente të trafikut rrugor.

“Në komunën e Gjilanit para dy vjetëve janë zhvilluar kontrolle të jashtëzakonshme të mjeteve motorike dhe kanë dalë se një numër prej tyre nuk i plotësojnë standardet e sigurisë. Ministria duhet të vazhdojë punën sistematike të kontrollimit teknik”, tha ai.

Komento: