Zbulohen tri mënyra të njohjes nga Serbia – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Zbulohen tri mënyra të njohjes nga Serbia

08:08 | 23 Shkurt 2019

Kosova dhe Serbia pritet që sivjet ë arrijë përfundimisht marrëveshje.

Tri opsione për njohjen e Kosovës nga Serbia janë në diskutim, ka treguar të premten Vjosa Osmani, kryetare e Komisionit parlamentar për punë të jashtme, tek ka ndarë me gazetën detaje të përmbajtjes së një dokumenti për të cilin ka thënë të jenë akorduar në parim presidentët Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq.

Sipas saj, nëpërmjet dokumentit palët janë pajtuar që zgjidhja finale të përfshijë edhe “korrigjimin e kufirit”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Osmani, e cila është deputetja më e votuar e Lidhjes Demokratike në opozitë, ka thënë se dokumenti me përmbajtjen e të cilit është informuar nga ndërkombëtarë të përfshirë në proces, ka 10 deri në 12 pika dhe aktualisht ka statusin e një drafti. Në secilën nga pikat trajtohen parimet, mbi bazën e të cilave duhet dhënë zgjidhje çështjeve kontestuese. Dhe, midis tyre, është edhe njohja.

“Janë duke u diskutuar tri opsione… Ajo që po insistojnë shtetet që e përkrahin Kosovën është që njohja të jetë eksplicite. Pra, që ‘Serbia e njeh Kosovën shtet të pavarur’. Por, si duket ka edhe përpjekje që ajo të mos e përmendë drejtpërdrejt. Të ketë një gjuhë pak më implicite. Apo, të përmendet gjuha ‘njihet kufiri shqiptaro-serb’, që në fakt nuk është e njëjtë me Pavarësinë e Kosovës, sepse pjesën e mbetur të Kosovës pas korrigjimit të kufirit Serbia mund ta trajtojë, qoftë si pjesë të Shqipërisë, qoftë si diçka tjetër, por jo Kosovën si shtet të pavarur, që pastaj t’i hapen dyert për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka thënë deputetja Osmani.

Komento: