Greva në arsimin kosovar ka marrë fund sot.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri Rmush Haradinaj, në mëngjesin e sotëm pas takimit që kanë pasur me kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharj, kanë garuar se kush do ta jap i pari lajmin për arritjen e marrëveshjes për rritje pagash që do të nënkuptonte dhe pezullim të grevës tre javore të punëtorëve të arsimit.
Megjithatë duket se takimi i sotëm, ku krerët e shtetit shiheshin të relaksuar së bashku me Jasharjn, ishte sa për sy e faqe, pasi pazari ndërmjet SBASHK-ut dhe pushtetit për pezullimin e grevës ishte bërë mbrëmë dhe marrëveshja ishte arritur dikur vonë natën e 31 janarit.
Ka qenë përfaqësuesi i administratës së Universitetit të Prishtinës i cili e ka zbuluar një gjë të tillë.
Gjatë një konference të organizuar sot nga SBASHK-u në orën 15:00 pasdite, në të cilën ishin thirrur edhe përfaqësuesit nga të gjitha komunat, Bardh Bardhin e kanë tradhtuar emocionet dhe aksidentalisht ka zbuluar se pazaret dhe marrëveshja ndërmjet SBASHK-ut dhe Qeverisë kishin marrë fund mbrëmë.
“ Kolegë të nderuar ju përshëndes. Shfrytëzoj rastin t’iu… se kam pak emocione, sot kam qenë pak a shumë i angazhuar nga disa nga ana e universiteteve, se jemi anashkalu nga ana e SBASHK-ut. Me këtë marrëveshjen e re që është bërë MBRËMË, faktikisht sot që është bë me krerët shtetëror është përfshi edhe administrata e universitetit dhe koeficienti i administratës është rritë për 0.30 që në mënyrë lineare i bie 71. 70 euro për secilin të punësuar në administratën e universitetit”, ka thënë Bardhi teksa i është dridhur zëri nga emocionet teksa fliste, shkruan Gazeta Express.
Pas kësaj konference SBASHK-u ka marrë vendim që të pezullojë grevën në arsim derisa Kuvendi i Republikës së Kosovës të miratojë marrëveshjen për rritje pagash.
Megjithatë siç ka deklaruar Jasharaj pas takimit të sotëm që ka pasur me Haradinajn e Veselin, marrëveshja është arritur edhe përkundër faktit që nuk janë pranuar plotësisht të gjitha kërkesat e SBASHK-ut për rritje pagash dhe pezullim të grevës në sektorin e arsimit.
Kjo marrëveshjen vjen pas disa takimeve intenzive të përfaqësuesve të SBASHK-ut dhe pushtetit. Haradinaj në fillim kishte propozuar një rritje prej 10 për qind, megjithatë Jasharaj kishte refuzuar duke kërkuar rritje 30 për qind. Pas atij takimi ishte kërkuar vazhdimi i grevës deri në përmbushjen e kushteve.
E derisa greva po vazhdonte e thirrur nga SBASHK-u, kryetarët e disa komunave në Kosovë kishin bërë thirrje të vazhdohej mësimi. Më i zëshëm kishte qenë Agim Bahtiri, i cili edhe u përplas me Jasharajn. Ky i fundit kishte thënë se do ta padis Bahtirin pas kërkesave për pezullim të grevës.
Një rritje ‘ad-hoc’ e pagave është kritikuar vazhdimisht nga institucionet financiare ndërkombëtare të cilat gjenden në Kosovë.
Përfaqësuesi i FMN’së në Kosovë, Ruud Vermeulen, thotë se një rritje e tillë e pagave për arsimtarët, do t ndikonte negativisht për krijimin e vendeve të reja të punës dhe do të nxisë që edhe punëtorët e tjerë të sektorëve publik të kërkojnë rritje të ngjajshme pagash.