Kupa e Botës në Katar po vijon me ndeshjet e treta në grupe. Në datën 2 dhjetor, në orën 20:00, Serbia sfidon Zvicrën për një biletë në fazën e 1/8 finale. Njëra prej dy kombëtareve do ta vijojë garën në Botërorin e këtij fundviti, ndërsa tjetra do të kthehet në shtëpi.
Te Zvicra luajnë edhe Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Ardon Jashari, me tifozët shqiptarë që kanë një arsye më shumë për të qenë kundër Serbisë në këtë përballje. Në Zvicër ka ndodhur diçka e veçantë në një pallat. Gjysma e katit është veshur me ngjyrat kuqezi, me flamurin ‘Autochthonous’ dhe atë të Zvicrës, teksa ngjitur me të janë vendosur flamujt serb.
Ndërkohë, Antan Metaj nga Katari ka deklaruar se shqiptarët po përgatisin një surprizë për tifozët serbë, pas provokimit të bërë me fotot e publikuara, ku harta e Kosovës ishte e vendosur në flamurin serb:
“Ambasada shqiptare në Katar organizoi një tip kokteji të vogël dhe kam parë se mjaft bashkëkombas janë rezidentë këtu, por kanë ardhur edhe enkas për Kupën e Botës. Tani po presim ndeshjen e Zvicrës me Serbinë, ku do kemi një surprizë, sepse ata bënë diçka me hartën e Kosovës, por nuk e dinë atë që ndodh më mbrapa. Ne jemi duke u përgatitur që ta veshim kuqezi tribunën ku do qëndrojnë tifozët serbë”.
Jehonë kësaj ndeshjeje të nxehtë i ka bërë edhe gazeta spanjolle “AS”, e cila shkruan si vijon: “Ndeshja Serbi-Zvicër, që do të luhet të premten (ora 20:00) do të jetë një duel i ngarkuar me më shumë sesa thjesht tension sportiv. Rezultati do të sqarojë se cila skuadër do ta shoqërojë Brazilin në 16-she të Kupës së Botës në Katar si përfaqësues të Grupit F.
Kaq rëndësi i kushtohet kësaj ndeshjeje, saqë sapo u bë i ditur shorti i Botërorit në Katar, rrjetet sociale serbe u mbushën me referenca për detyrimin për ta fituar këtë ndeshje ndaj Zvicrës, edhe nëse nuk do të kishte më asnjë rëndësi sportive. Një Botëror që filloi (përsëri) me një rrëmujë politike, pasi një foto e hartës së Serbisë, që përfshinte brenda saj edhe Kosovën, u zbulua pak para debutimit kundër Brazilit.