Tashmë është zbuluar data me të cilën do të ristartoi Bundesliga.
Bundesliga është gati të rinisë kampionatin aty ku e la.
Duket se jeta në vend është drejt rikthimit në normalitet.
Një lajm i mirë ky edhe për tifozët e shumtë, të cilët do të kenë mundësinë të ndjekin skuadrat e tyre në fushën e lojës.
Edhe pse për momentin gjasat që stadiumet të hapen për ta janë shumë të pakta, për të mos thënë e pamundur.
Kështu, sipas “Bild”, data 9 maj do të jetë edhe dita kur kampionati do të vazhdojë pas ndalesës për shkak të “COVID-19”.
Nëse gjithçka do të shkojë sipas planifikimeve, sezoni do të përfundonte më 21 qershor të këtij viti.
Skuadrat gjithashtu mësohen të jenë shprehur të gatshme për të startuar.
Asnjë nga klubet gjermane nuk e ka ndërprerë stërvitjen edhe pse ajo është kryer ndryshe nga normalisht.
Kujtojmë se Bajerni i Mynihut renditet i pari në tabelën e klasifikimit me shtatë pikë më shumë se Borusia e Dortmundit që ndodhet në vendin e dytë me një pikë më shumë se Lajpcigu i vendit të tretë.
Supersfida midis Borusias dhe Bajernit do të luhet në fund të majit nëse kampionati do të nisë të luhet më 9 maj.
Lufta për titull pritet të bëhet vetëm midis këtyre tri skuadrave edhe pse matematikisht gjithçka është e mundur të ndodhë.
Bajerni është edhe njëherë tjetër dukshëm favorit për të fituar titullin e tetë radhazi në Gjermani.
Edhe pse rivali i përjetshëm i tyre, Borusia Dortmund është rritur shumë në fazën e dytë të sezonit.
Afrimet cilësore në sulm dhe në mesin e fushës, si dhe eliminimi nga Champions-i do të jenë një avantazh i madh për skuadrën e Lysien Favresë.
Por llogaritë patjetër që duhet të bëhen edhe me skuadrën e Lajpcigut.
Edhe pse 8 pikë me pak se kryesuesit, skuadra e Julian Nagelsman dha një sinjal të fortë te kundërshtarët pasi eliminoi nga Champions-i nënkampionët e Europës, Totenhemin.
Me një sulmues si Verner, skuadra e “Red Bull” ende shpreson se mund të fitojë kampionatin.
Ndërkohë, liga gjermane ka siguruar klubet se edhe ekipi i arbitrave ka qenë mjaft aktiv në këtë periudhë izolimi të vendit. Me anë të një video-konference, disa prej tyre kanë treguar se si janë stërvitur dhe se forma e tyre është optimale.
Sigurisht që ashtu si dhe lojtarët, edhe ata do ta kenë të vështirë të ambientohen në javët e para duke marrë parasysh edhe ndërprerjen e pazakontë që ka ndodhur.
Ndërkohë, shumë prej klubeve të Bundesligës kanë organizuar një takim me tifozët e tyre edhe pse komunikimi ka qenë “online”.
Ata kanë dëgjuar propozimet e tyre për të gjetur një mënyrë që ata të jenë sa më pranë stadiumit ku do të luajnë skuadrat e tyre.
Një nga idetë që u prit me optimizëm është ajo e instalimit të një kinemaje të hapur afër stadiumeve ku tifozët mund të ndjekin ndeshjet në makinën e tyre.
Çdo makinë nuk do të lejohej të kishte më shumë se dy persona brenda.
Gjithsesi, kjo është vetëm një hipotezë pasi gjithçka do të vendoset në mbledhjen e javës së ardhshme ku klubet do të takohen me përfaqësues të ligës gjermane dhe të medias si dhe të një stafi mjekësor.