Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde zbulon një sekret të Leo Messit.
A e keni vërejtur se jo gjithmonë Leo Messi jep maksimumin në minutat e para të takimit? Epo pesë herë fituesi i “Topit të Artë” ka një metodë të tijën.
Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ka zbuluar se për dallim nga futbollistët tjerë, Leo Messi e nis ndeshje shumë më ndryshe.
Në një intervistë për “The Financial Times”, 55-vjeçari, i cili zëvendësoi Luis Enrique si trajner në “Camp Nou” në vitin 2017, tha: “Ju nuk mund të mendoni, por duhet të luani kur jeni në fushë. Sidoqoftë, e pranoj se Lionel Messi bën përjashtim nga kjo metodologji”.
Valverde tregoi se “gjeniu i futbollit” shpesh i rezervon minutat e para të secilës ndeshje për të studiuar kundërshtarin.
Në vend që të përfshihet plotësisht në lojë, Messi “injoron” topin dhe shqyrton mbrojtësit e kundërshtarit, se si pozicionohen ata e më pas vepron.
“Ndërsa loja fillon, ai merr pak kohë për të studiuar e ditur saktësisht se ku janë dobësitë e rivalëve”, deklaroi Valverde.
Messi po kalon një tjetër sezon mbresëlënës me Barcelonën.
Në 23 paraqitje në La Liga deri më tani, ai ka shënuar 25 gola – më së shumti në Evropë dhe është kandidati më serioz për ta fituar sërish “Këpucën e Artë”, që do të ishte e gjashtë për argjentinasin.
Në përgjithëso këtë sezon, Messi e ka gjetur 33 herë rrjetën, në po aq ndeshje, statistika që tregojnë se vitet kalojnë, por ai mbetet po i njëjti.