Zbulohet plani i Ferguson për ta ndalur Messin

13:43 | 26 Mars 2019

Feguson me plan për Messin.

Në autobiografinë e vet, Sir Alex Fergusoni zbuloi se ai e kishte bërë një plan se si do ta ndalonte Lionel Messin nëse Manchester Unitedi dhe Barcelona takoheshin përsëri, pas finales së Ligës së Kampionëve në vitin 2011.

Lionel Messi shkëlqeu në ndeshjen e vitit 2011 kundër Manchester Unitedit, në finalen e Ligës së Kampionëve, dhe i ndihmoi skuadrës së tij t’i mposhtë “Djajtë e kuq” në Wembley, transmeton Gazeta Express.

Pas paraqitjes mbresëlënëse së yllit argjentinas, Sir Alex Fergusoni e gjeti një mënyrë se si do ta ndalonte Messin nëse dy klubet takoheshin përsëri.

“Për ta mposhtur Barcelonën në atë cikël, ti ke nevojë për qendërmbrojtës që qëndrojnë shumë optimistë, ke nevojë për qendërmbrojtës që e ndjekin Messin pa u shqetësuar se çfarë po ndodh pas tyre”, shkruan Fergusoni.

“Në rregull, ai do të shkojë anash fushës. Kjo është në rregull. Ai është më pak i rrezikshëm në krahë sesa në qendër. Pas kësaj, unë i thashë vetes: ‘Kur të luajmë me Barcelonën herën tjetër, do t’i vendos Jonesin dhe Smallingun, apo Smallingun dhe Evansin pas Messit’. Nuk do ta lejoja të na torturojë përsëri”.

Ish-sulmuesi i Fergusonit në Manchester United, tani trajner në detyrë i klubit, Ole Gunnar Solskjaer, do ta ketë mundësinë ta shfrytëzojë këtë plan të Fergusonit për ndeshjet çerekfinale mes dy skuadrave.

Manchester Unitedi dhe Barcelona do të përballen fillimisht në Old Trafford, më 10 prill, e pastaj ndeshja kthyese do të zhvillohet në Camp Nou, më 16 prill.

Klubi katalonas është favorit për ta zënë një vend në gjysmëfinale të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, pasi që djemtë e Ernesto Valverdes janë duke e kaluar një sezon më të mirë këtë vit. Ata janë në finale të Kupës së Mbretit dhe liderë të La Ligës. Për këtë arsye, e duan me ngulm edhe suksesin në Ligën e Kampionëve për ta kompletuar tripletën këtë sezon.

Në anën tjetër, Manchester Unitedi është ringjallur pas shkarkimit të Jose Mourinhos dhe emërimit të Ole Gunnar Solskjaer në pozitën e trajnerit. Megjithatë, dy ndeshjet e fundit kanë qenë zhgënjyese për “Djajtë e kuq”, të cilët e humbën vendin e katër në tabelën e Premierligës pas disfatës ndaj Arsenalit dhe u eliminuan nga FA Cup pas disfatës ndaj Wolves.

Megjithatë, skuadra e Solskjaer e dëshmoi në fazën paraprake të Ligës së Kampionëve se asgjë nuk është e pamundur. Manchester Unitedi u kualifikua në çerekfinale duke e përmbysur rezultatin ndaj Paris Saint-Germainit.

Komento: