Zbulohet plani i Serbisë kundër njohjeve të reja të Kosovës

09:17 | 24 May 2019

Ivica Daçiq zbulon planin e Serbisë kundër njohjeve të reja të Kosovës.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka dhënë detaje nga vizitat e tij të fundit në shtetet afrikane dhe kërkesat e tij në raport me Kosovën.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka insistuar se plani i Serbisë është të pengojë njohjet e mëtutjeshme të Kosovës.

Gjatë një paraqitje në emisionin e mëngjesit në televizionin serb “RTS”, Daçiq ka thënë se vizita e tij në Afrikë, gjatë së cilës qëndroi në shtatë shtete, kishte për synim njoftimin me situatën, përcjell lajmi net.

“Afrika për ne është shumë e rëndësishme, ka 54 shtete në Kombet e Bashkuara nga gjithsejtë 193. Po ashtu, ato janë shtete mike tradicionalisht nga koha e Titos dhe Jugosllavisë, por shtete ku askush nuk ka qenë për vizitë për 10, 20 e në disa edhe 30 vite”, deklaroi ai. Daçiq shtoi se bëhet fjalë për shtete ku pas vitit 2000 janë mbyllur Ambasadat dhe janë kthyer nga Perëndimi.

“Unë sigurisht se mbështes përcaktimin tonë për anëtarësim në BE por mendoj se në këtë moment po ashtu interesi ynë strategjik është të luftojnë në mbrojtjen e integritetit tonë territorial dhe sovranitetit, e kjo nënkupton ta ruajmë pozicionin tonë ndaj Kosovës, e që mund të ndodh përderisa nuk lejojmë që Kosova të bëhet anëtare e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara”, shtoi ai.

Ai theksoi se e sheh të nevojshme që ato shtete të njoftohen me qëndrimet e Serbisë. Daçiq fillimisht vizitoi Tanzaninë, ku nuk kishte qëndruar asnjë zyrtarë serb për më tepër se 30 vite.

“Ne kemi mbyllur ambasadën në Tanzani, por presim që Tanzania ta di se cilat janë interesat tona”, theksoi ai duke shprehur besimin se Tanzania nuk do të votojë më pro Kosovës, transmeton lajmi.net.

Destinacioni i dytë i tij ishte Madagaskari që tashmë ka një president të ri dhe Daçiq thotë se ka qenë e rëndësishme të përkujdeset që ata të mos e ndryshojnë vendimin pas tërheqjes së njohjes së Kosovës. Shteti i tretë i vizituar ishte Svazilendi që po ashtu ka njohur Kosovën kurse i katërti ishte Kongo ku u takua me presidentin e tyre të ri. “Ai më ka dhënë fjalën se nuk do ta njohin Kosovën dhe nuk do ta ndryshojë qëndrimin”, theksoi Daçiq.

Pastaj, ka vizituar Tongon dhe Ganën. “Ne me ta i kemi ndërprerë pothuajse të gjitha raportet por përfaqësuesit e atyre shteteve janë të vetëdijshëm për situatën”, tha ministri i Jashtëm serb.

Pas këtyre vizitave, me ftesë nga presidenti i Somalisë, Daçiq shkoi për takim dhe theksoi se vendimi për njohjen e Kosovës nga Somalia ishte marrë nga Qeveria e përkohshme më 2020 dhe se ai vendim nuk është valid. Në pyetjen nëse vizitat e tij kishin për synim heqjen e njohjeve, Daçiq ka thënë se duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. “Nuk mundem që me një vizitë të zgjidhi diçka që nuk është zgjidhur që 20, 30 vite”, u shpreh ai.

Komento: