Pacolli flet për takimet në Berlin.
Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka treguar për takimin që kanë pasur me Përfaqësuesen e Lartë të BE-s, Frederica Mogherini, para Samitit të Berlinit.
“Posa kemi arritur në hotel kemi shkuar në takim në ndërtesën e BE-së në Berlin dhe jemi pritur nga Mogherini. Kemi pas një takim miqësor pune dhe informativ. Ajo na ka informuar për situatën e krijuar se në këto kushte dialogu nuk ka mundur të vazhdojë”.
“Ajo ka treguar se është munduar që palët t’i ulë në tavolinë, por në këto rrethana është dashur që dy fuqitë evropiane të futen në këtë proces. Ajo falënderon Gjermaninë dhe Francën për këtë organizim dhe normalisht thotë se do t’i dedikohet kësaj kauze deri në momentin e fundit”.
“Edhe kryeministri Haradinaj e ka pas vendin aty por nuk ka ardhur duke menduar se marrëdhëniet janë të acaruara, por kjo s’ka qenë ashtu. Mogherini ka qenë gjentile me kryeministrin dhe kjo është parë në takimin më vonë”.
Pacolli në Zona B të Klan Kosovës tha se arsyeja që Haradinaj mungoi në takimin me Mogherinin ishte një takim tjetër i tij.
“Kështu ka vendosur Haradinaj që të mos vijë në takim. Mogherini ka pyetur për të dhe unë i kam thënë se ai ka pas një takim tjetër dhe nuk ka mundur të vijë në takim dhe kjo është e vërtetë sepse ai ka pas një tjetër takim”.
“Kemi qëndruar një orë e gjysmë me Mogherinin, nga ky takim kemi kaluar në një tjetër”.