Zbulohet qëllimi i takimit në Berlin

09:51 | 11 April 2019

Me 29 prill do të mbahet një takim i rëndësishëm në Berlin.

Pas ftesës së Gjermanisë dhe Francës për të mbledhur presidentët dhe kryeministrat serbë dhe shqiptarë në Berlin më 29 prill, si dhe përfaqësuesit e Prishtinës nën moton për bashkëpunimin në rajon mund të fshehin një motiv tjetër – se Beogradi pranon të vazhdojë dialogun me Prishtinën pa heqjen e taksës mbi produktet serbe.

Kështu shkruan e përditshmja “Veçernje Novosti”.

Kjo gazetë raporton më tutje se si qarqet individuale diplomatike dhe burimet e saj interpretojnë angazhimin e aksit Berlin-Paris në zgjidhjen e çështjeve kyçe në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në ringjalljen e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës.

Dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian kanë vendosur t’i takojnë udhëheqësit shtetërorë ballkanas të hënën e ardhshme, më 29 prill, në Berlin.

Siç ka raportuar të mërkurën klankosova.tv në takimin e udhëheqësve shtetëror ballkanas që organizohet nga dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian pritet të marrin pjesë edhe Edi Rama, Ilir Meta.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë konfirmuar se kanë pranuar ftesë nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në samitin e liderëve të Ballkanit që do të mbahet në fund të këtij muaji në Berlin.

Shembulli i bashkëveprimit mes qeverive të Gjermanisë dhe Francës synon të ndihmojë në nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, posaçërisht sa i përket temave të mëdha politike, siç është dialogu Kosovë – Serbi.

Pas zgjidhjes së suksesshme të çështjes së emrit mes Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, fokusi i vendimmarrësve evropiane është zhvendosur në përgatitjet për etapën e fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku bën pjesë edhe ky takim të hënën në Berlin, transmeton Klan Kosova.

Komento: