Një tjetër yll i futbollit është i gatshëm ta marrë rrugën drejt Arabisë Saudite.
Siç shkruan mediumi francez “L’Equipe”, Neymar qysh sot do të shkojë në Lindjen e Mesme për t’i kryer vizitat mjekësore me Al Hilal, për ta nënshkruar më pas një kontratë dyvjeçare.
Gjithnjë sipas mediumit francez, ylli brazilian do ta ketë një rrogë “monstruoze” prej 80 milionë eurosh në vit, respektivisht do t’i marrë 160 milionë euro falë kësaj kontrate, e cila mund të zgjatet varësisht prej paraqitjeve të tij dhe ambicieve të klubit saudit.
Ndërkohë, nga shitja e ish-futbollistit të Santosit dhe të Barcelonës, kampioni francez do t’i fitojë 90 milionë euro, të cilat mund të ngriten në 100 milionë me bonuse.
Neymar kështu do t’i japë fund eksperiencës evropiane, ndonëse thuhet se kishte mundësi të rikthehej në Barcelonë, derisa kishte ofertë edhe nga liga amerikane – MLS.
PSG-ja ndërkohë do t’i kthehet tregut të transfereve për ta zëvendësuar përfaqësuesin brazilian.
Pas transferimit të Ousmane Dembeles e Gonçalo Ramosit, për ta kompletuar treshen ofanzive të Luis Enriques, në “Parkun e Princave” do të përfundojë Randal Kolo Muani i Eintracht Frankfurtit.
Gjithnjë nëse në Paris nuk qëndron Kylian Mbappe, sigurisht…