Drejtori i OBSH’së thotë se pandemia është shumë larg fundit.
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se pandemia e koronavirusit është “shumë larg fundit” pasi rastet e infektimit dhe vdekjeve janë në rritje. Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus foli në Gjenevë gjatë raportimit të organizatës për COVID-19.
Tedros tha se e vetmja mënyrë për të mposhtur virusin është bashkëpunimi global.
“Numri global i rasteve të raportuara dhe vdekjeve nga COVID-19 po rritet për herë të parë në dy muaj, i nxitur nga një rritje e vazhdueshme në Evropë. Është një kujtesë tjetër se pandemia e COVID-19 është larg fundit. Një nga arsyet kryesore që pandemia po vazhdon është qasja e pabarabartë në mekanizmat për ta luftuar,” tha ai, duke kërkuar një shpërndarje më të drejtë të vaksinave.
Vendet me të ardhura të ulëta përbëjnë 9 për qind të popullsisë së botës, por vetëm 0,5 për qind e vaksinave të administruara në botë janë bërë në këto vende, sipas OBSH-së.
Ekspertja kryesore e OBSH’së, Soumya Swaminathan tha se shpresonte që udhëheqësit e vendeve të G-20, që po takohen në Romë këtë fundjavë, t’i jepnin përparësi furnizimeve me vaksina për vendet që kanë më shumë nevojë për to.
“Sot, numri i dozave përforcuese që po administrohen në mbarë botën, afro një milion injektime në ditë, është trefishi i sasisë së vaksinave që administrohen në vendet me të ardhura të ulëta, që është rreth 330,000 doza në ditë”, tha ajo.
OBSH’ja kishte bërë thirrje për një moratorium për dozat përforcuese deri në fund të vitit, në mënyrë që ato doza t’u jepeshin atyre vendeve që kanë një nivel vaksinimi nën 4-5 për qind.