Gjysma e pacientëve të shtruar në spital nga COVID-19 kanë simptoma edhe pas një viti, zbulon studimi britanik.
Lodhjen dhe vështirësinë në frymëmarrje ende i vuajnë shumë pacientë një vit pas shtrimit në spital për COVID-19, sipas një studimi kinez që bën thirrje për një kuptim më të mirë të efekteve shëndetësore afatgjata të pandemisë.
Rreth gjysma e pacientëve që lanë spitalin nga COVID-19 ende vuajnë nga të paktën një simptomë të vazhdueshme – më shpesh lodhje ose dobësim të muskujve – pas 12 muajsh, ka thënë studimi i botuar në revistën mjekësore britanike Lancet sot, siç raportohet nga Agence France-Presse.
Hulumtimi, më i madhi deri më tani me gjendjen e njohur si “Covid i gjatë”, shtoi se një në tre pacientë ende kanë vështirësi në frymëmarrje një vit pasi rezultuan pozitiv. Ky numër është edhe më i lartë në pacientët e goditur më rëndë nga sëmundja.
‘’Pa trajtime të provuara apo edhe udhëzime rehabilitimi, Covid-i i gjatë ndikon në aftësinë e njerëzve për të rifilluar jetën normale dhe aftësinë e tyre për të punuar’’, thuhet në botimin e studimit.
Studimi tregon se për shumë pacientë, shërimi i plotë nga Covid-19 do të zgjasë më shumë se 1 vit.
Studimi ndoqi afro 1.300 njerëz të shtruar në spital për COVID-19 midis janarit dhe majit 2020 në qytetin qendror kinez Wuhan – vendi i parë i prekur nga kjo pandemi që ka infektuar që atëherë 214 milionë njerëz në të gjithë botën, duke shkaktuar vdekjen e më shumë se katër milionë njerëzve.
Pjesa e pacientëve të vëzhguar me të paktën një simptomë u ul nga 68% pas gjashtë muajsh në 49% pas 12 muajsh.
Shqetësimet në frymëmarrje u rritën nga 26% e pacientëve pas gjashtë muajsh në 30% pas 12 muajsh.
U zbulua se gratë e prekura kishin 43% më shumë gjasa sesa meshkujt e prekur të vuanin nga lodhja ose dobësia e vazhdueshme e muskujve, dhe dy herë më shumë të diagnostikoheshin me ankth ose depresion.
Por studimi thotë 88% e pacientëve që punuan para se të testonin pozitiv ishin kthyer në punët e tyre një vit më vonë.
Studimi i shton kërkimit të mëparshëm që paralajmëroi autoritetet në vende të ndryshme se ata duhet të jenë të përgatitur për të siguruar mbështetje afatgjatë për punonjësit e shëndetit dhe pacientët e prekur nga COVID-19.
“Covid-i i gjatë është një sfidë mjekësore moderne e rendit të parë”, përfundoi studimi, duke bërë thirrje për më shumë kërkime për të kuptuar gjendjen dhe kujdesin më të mirë për pacientët që vuajnë prej tij.