Zëdhënësi i DASh-it: Kosova e Serbia t’i marrin përgjegjësitë, të bëhet progres për Asociacionin

23:01 | 25 January 2023

Thirrje nga Uashingtoni: Kosova e Serbia t’i marrin përgjegjësitë, të bëhet progres për Asociacionin.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan, Ned Price ka thënë se SHBA bashkë me partnerët e Bashkimit Evropian, pret që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin përgjegjësitë e tyre, pas vizitave të pesëshes diplomatike në Prishtinë dhe Beograd sa i përket propozimit evropian. Ai ka folur edhe për themelimin e Asociacionit dhe ka kërkuar kthimin e serbëve në institucione.

Në një konferencë për media, Price ka thënë se i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka qenë në një mision të përbashkët me partnerët e BE-së në Kosovë dhe Serbi për ta diskutuar propozimin që synim ka normalizimin e marrëdhënieve.

“Ndihmës Sekretari ynë Gabriel Escobar, bashkë me përfaqësuesit e lartë nga BE, Franca, Gjermania dhe Italia kanë qenë një mision të përbashkët në Prishtinë dhe Beograd për ta diskutuar propozimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Price.

Sipas Price, pesë diplomatët kanë folur për mundësitë që Kosova e Serbia kanë nga propozimi si dhe e kanë vënë theksin te urgjenca për progres të shpejtë. Ai ka thënë se SHBA dhe BE presin nga Kosova e Serbia që t’i marrin përsipër përgjegjësitë e tyre.

“Ata i kanë nënvizuar mundësitë e propozimit dhe kanë theksuar urgjencën për progres të shpejtë për ta evituar rrezikun nga një eskalim më i madh. Ne, së bashku, me partnerët tanë nga BE presim nga palët që të përmbushin përgjegjësitë e tyre”, ka thënë Price.

Po ashtu, zëdhënësi i Departamentit të Shtetiti, ka thënë se të dyja shtetet duhet t’i impelementojnë marrëveshjet e arritura në dialogun e BE-së, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe si dhe ka kërkuar kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

“Që të dyja, Kosova dhe Serbia, në këtë rast, duhet t’i implementojnë marrëveshjet tashmë të arritura në procesin e dialogut, përfshirë progresin në themelimin e Asociacioni e Komunave me shumicë serbe – dhe ne fuqishëm inkurajojmë serbët e Kosovës që të kthehen në institucione sa më shpejt që është e mundur, për ta përmirësuar sigurinë dhe stabilitetin”, ka thënë tutje Price.

“Këto janë mesazhet që Kosova dhe Serbia janë duke i dëgjuar nga Shtetet e Bashkuar atë Amerikës dhe gjithashtu po i dëgjojnë nga BE dhe nga shtetet anëtare dhe delegacionet e tyre, në këtë rast Franca, Gjermania dhe Italia”, ka thënë ai në fund.

Komento: