Manxhuka akuzon LDK-në se po bëjnë opozitë duke i vjedhur idetë e VV-së.
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, tha se aksioni i Forumit Rinor të LDK-së është kopjuar nga një aksion i mëhershëm i partisë së tij, duke thënë se ata janë “hajna tipikë”.
Manxhuka tha se ka vdekur kauza e tyre për të krijuar Zajednicën.
“Këta edhe në njoftime mortore vjedhin. Hajna tipikë. Hajna..Në të vërtetë ka vdekur kauza e tyre e madhe e 25 gushtit 2015, ajo e themelimit të “Zajednicës”. Fotoja e parë është nga aktiviteti i Rinisë për VETËVENDOSJE!, më 23 dhjetor 2022, në shtatë vjetorin e shpalljes së vdekur të “Zajednicës””, ka shkruar Manxhuka në Facebook, duke shpërndarë disa fotografi të aksionit të tyre të mëhershshëm.
Forumi Rinor i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka organizuar sot një aksion përmes të cilit kanë shprehur kritikën e tyre për zhvillimet e fundit që ndërlidhen me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Në fletushka të shumta kanë shkruar se “kanë vdekur kauzat e Vetëvendosjes”.
Ky aksion i tyre vjen pasi Miroslav Lajcak ka lënë të kuptohet se në një farë forme Kurti është pajtuar që Asociacioni duhet të bëhet.
Lëvizja Vetëvendosje në krye me Kurtin historikisht ka qenë kundër Asociacionit.