Zeka tregon se për ҫka është pyetur nga Gjykata Speciale

23:11 | 23 Korrik 2019

Milaim Zeka ka treguar se për ҫka është pyetur nga Gjykata Speciale.

Kryetari i Partisë Euroatlantike të Kosovës (PEK) njëkohësisht deputet në Kuvendin e Kosovës, Milaim Zeka, ka thënë se ai është marrë në biseda informative nga Gjykata Speciale.

Zeka ka thënë se është marrë në biseda informative nga Gjykata Speciale, por thotë se nuk e ka bërë shumë të madhe, pasi ishte ftuar gojarisht.

“Jam ftuar për dy raste. Faktikisht kam kërkuar vet që të sqarohem në Gjykatën Speciale për rastin e Ahmet Krasniqit, pasi kam qenë njeriu i parë që jam akuzuar nga Millosheviqi dhe një gazetë në Kosovë. Gazetari i këtij mediumi për fat të keq ka cituar Millosheviqin, i cili me gjasë ma ka përzier emrin”, tha Zeka në RTV Dukagjini.

Ish-reporter i luftës thotë se ka kaluar një vuajtje të madhe pasi në Prishtinë gjatë viteve 2003-2004 kanë qarkulluar postera, ku ai akuzohet për vrasjen e Ahmet Krasniqit.

“Millosheviqi në Tribunal të Hagës e pyet një spiun të UDB-së: ‘A ke dëgjuar për Milaim Zekën?’, ai ia kthen: ‘Po kam dëgjuar’. Millosheviqi i thotë përsëri: ‘A ke dëgjuar se Milaim Zeka me urdhër të Rexhep e Sylejmen Selimit e ka privuar nga jeta Ahmet Krasniqin në Tiranë?’. Ky thotë: ‘Jo këtë nuk e kam dëgjuar’. Nga ai moment kam qenë personi publik më i akuzuar dhe asnjëri nga shokët e mi të luftës nuk më kanë mbrojtur dhe janë tallur”.

Zeka thotë se është pyetur edhe për Rastin Kiçina dhe për një rast tjetër kur një i pranosur kishte deklaruar se “Milaim Zeka ma ka shpëtuar jetën në një qeli të UÇK-së në Kukës”

Komento: