Zelenski i reagon palës ruse që u shfaq në Bjellorusi për negociata: Jo bisedime në një shtet agresor

09:16 | 27 February 2022

Pala ruse shfaqet në Bjellorusi për negociata, reagon Zelenski: Jo bisedime në një shtet agresor.

Tashmë në Bjellorusi ka arritur delegacioni rus i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe departamenteve të tjera – përfshirë administratën presidenciale, raporton Gazeta Express. Por, veprimit të Moskës i është kundërpërgjigjur presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy duke kundërshtuar pretendimin rus se është gati për bisedime në Bjellorusi.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy i është kundërpërgjigjur pretendimeve të bëra nga delegacioni rus se është “gati për bisedime” me Ukrainën. Zelenskiy mëngjesin e sotëm tha se ai mbetet i hapur për bisedime në vendet e tjera që nuk po tregojnë agresion ndaj Ukrainës.

Presidenti ukrainas shtoi se bisedimet në Minsk të Bjellorusisë mund të ishin të mundshme nëse Rusia nuk do të kishte sulmuar Ukrainën nga territori bjellorus.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha më herët gazetarëve se delegacioni rus kishte mbërritur në Bjellorusi për bisedime dhe “tani janë duke pritur për ukrainasit”.

Ministria e Jashtme e Bjellorusisë njoftoi se kishte përgatitur gjithçka të nevojshme për takimin.

Më herët u raportua se ushtria ukrainase konfirmoi se rrëzoi një “raketë me krahë” të gjuajtur në Kiev nga një avion bjellorus Tu-22 këtë mëngjes.

“Forcat Ajrore të Forcave të Armatosura të Ukrainës pak minuta më parë rrëzuan një raketë me krahë të lëshuar në kryeqytetin e Ukrainës nga territori i Republikës së Bjellorusisë nga një aeroplan TU-22”, tha Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valerii Zaluzhnyi.

“Ky është një tjetër krim lufte i Federatës Ruse dhe Rusisë,” shtoi ai.

Komento: