
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se bisedimet e paqes me Rusinë janë aktualisht në pauzë për shkak të konfliktit në Iran.
Sipas Zelenskyt, Ukraina do të jetë e gatshme të vazhdojë negociatat sapo kushtet ta lejojnë.
“Për momentin, për shkak të situatës me Iranin, sinjalet e nevojshme për një takim trepalësh nuk kanë ardhur ende. Por sapo situata e sigurisë dhe konteksti më i gjerë politik të na lejojnë të rifillojmë punën diplomatike trepalëshe, kjo do të bëhet. Ukraina është gati për këtë”, tha lideri ukrainas.
Zelensky gjithashtu falënderoi shërbimin e inteligjencës së Ukrainës, zyrën presidenciale dhe agjencitë e tjera të përfshira në përpjekjet për të rregulluar shkëmbime të mëtejshme të të burgosurve të luftës.
“Ne po punojmë për të sjellë të gjithë njerëzit tanë në shtëpi nga robëria ruse. Shpresojmë për lajme të mira”, vazhdoi ai.
Ndryshe, Rusia dhe Ukraina kanë zhvilluar tre raunde bisedimesh paqeje të ndërmjetësuara nga SHBA-ja këtë vit, dy në Abu Dhabi dhe një në Gjenevë.
Javën e kaluar, Zelensky tregoi se raundi tjetër mund të zhvillohet në fillim të marsit, përsëri në Emiratet e Bashkuara Arabe.